Samiti për Ukrainën, Rama: Takim solidariteti për angazhimin e mëtejshëm kundër agresionit rus!

vovalbania February 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Samiti për Ukrainën, Rama: Takim solidariteti për angazhimin e mëtejshëm kundër agresionit rus!

Para takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili nga mbrëmë ndodhet në Tiranë dhe sot merr pjesë në samitin e rëndësishëm “Ukrainë-Europa Juglindore”, kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, ku thekson se ky samit është një takim solidariteti dhe angazhimi të mëtejshëm kundër agresionit rus në Ukrainë.

Mirëmëngjes dhe me krenarinë për Shqipërinë, që sot mikpret në Samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, Presidentin Volodymyr Zelenskyy, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive tona kundër agresionit rus, ju uroj një ditë të mbarë!

Pas orës 08:00, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani doli në një konferencë me homologun ukrainas Dmytro Kuleba. Hasani veçoi përparësinë që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës në forumet ndërkombëtare, si dhe shfaqi shpresën për hapjen e ambasadës tonë në Kiev, brenda vitit.

Hapja e ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti. Diskutuam për avancimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë. Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes ekonomike. Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah lirive evropiane. Uroj që ky samit, të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës!

Kuleba vlerësoi Shqipërinë, duke iu referua si “mike e mirë”.

Eshtë mirë të jesh në Tiranë si pjesë e delegacionit të Zelenskyy-t. Ju jam mirënjohës që organizuat këtë samit të rëndësishëm që përfshin një volum të madh pune. Ky samit tregon sa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon, dërgon një mesazh të qartë se do të mbetemi të bashkuar. Diskutuam bashkëpunimin dypalësh. Shqipëria, mike e mirë e Ukrainës. Dua të falënderoj Shqipërinë për ndërmarrjen e saj humanitare që përfshiu rehabilitimin e fëmijëve ukrainas, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë. Çdo mbështetje që Shqipëria ofron është e vlerësuar!

Për samitin Ukrainë-Europa Juglindore, krahas Volodymyr Zelenskyy-t, marrin pjesë edhe presidentet e Moldavisë e të Kosovës, Maia Sandu dhe Vjosa Osmani, ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo e kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Përmes video-lidhjeve, mes atyre që do t’i bashkohen takimit janë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan e kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE