Shqipëria pranon dronët Bayraktar/Dërgohen në bazën e NATO-s në Kuçovë!

vovalbania March 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëria pranon dronët Bayraktar/Dërgohen në bazën e NATO-s në Kuçovë!

Ushtria shqiptare ka pranuar tre dronë të prodhimit turk Bayraktar, pasi një marrëveshje për blerjen e një flote me dronë të tillë është nënshkruar në dhjetor të vitit 2022. Ende nuk dihet se sa ka kushtuar blerja e njërit prej tyre. Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shkruan:

Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.

Ministri Peleshi ka vënë në dukje se zotërimi i këtyre dronëve rrit aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë dhe është dëshmi e angazhimit për të garantuar sigurinë kombëtare. Dronët Bayraktar janë vendosur në bazën e NATO-s në Kuçovë, e cila do të përurohet më 4 mars, pra pas tre ditësh.

Dronët Bayraktar janë avionë ushtarakë pa pilotë. Kryeministri Edi Rama pati thënë se marrëveshja për dronët është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë. Rama e ka bërë të qartë se dronët do të përdoren për misione ushtarake, si edhe policore e civile. Shefi i qeverisë shprehej:

Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, ne do të jemi gati për luftë.

Po ashtu, marrëveshja përfshin trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë “Bayraktar” për t’u përgatitur për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.

Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Droni Bayraktar mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë e po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.

Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE