Rusi, nisin zgjedhjet presidenciale/Nuk priten surpriza sa i përket fituesit!

vovalbania March 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusi, nisin zgjedhjet presidenciale/Nuk priten surpriza sa i përket fituesit!

Rusët nisën votimin në zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave nuk vihet në dyshim. Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren. Presidenti do ta zgjasë mandatin me gjashtë vjet të tjera, pasi çdo kundërshtar i tij serioz nuk u lejua të garojë nga Kremlini, që po zhvillon një luftë brutale ndaj mediave të pavarura dhe kritikëve.

Zgjedhjet presidenciale zgjasin tre ditë, pra deri të dielën. Nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta dhe këto votime janë të parat që mbahen në Rusi që kur shefi i Kremlinit nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. 71 vjeçari Putin, i cili ka qenë president apo kryeministër për gati 25 vjet po garon kundër tre politikanëve pak të njohur.

Ata janë lideri i Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetari i Dumës Shtetërore, Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe ligjvënësi i Dumës së Shtetit, Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste. Qëndrimet e tyre politike, me vështirësi dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar. Komisioni tha se shkak janë firmat e pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial. Por ndonëse Nadezhdin u ankua, vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata e Lartë e Rusisë.

Qendrat e para të votimit u hapën në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjatë ditës, votuesit do t’i hedhin votat e tyre në gati 100 mijë qendra votimi në 11 zona të ndryshme kohore të vendit, si dhe në rajonet e Ukrainës të cilat Moska i aneksoi në mënyrë të jashtëligjshme.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme. Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars.

Gati një muaj para zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime që cilësoheshin si të motivuara politikisht.

Analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky, i përshkroi zgjedhjet si një “operacion të posaçëm për ta riemëruar Vladimir Putinin”, një referencë ndaj eufemizmit që përdor Kremlini për luftën kundër Ukrainës, duke e quajtur “operacion të posaçëm ushtarak”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49635 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE