Trafiku i armëve, ish-efektivja e Burgjeve: Nuk isha në dijeni!

vovalbania March 27, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Trafiku i armëve, ish-efektivja e Burgjeve: Nuk isha në dijeni!

Ish-efektivja e Policisë së Burgjeve, Denisa Halilaj, e arrestuar dje në Tiranë me katër persona të tjerë të kapur me armë e municione e që nga Malësia e Madhe do t’iu shiteshin grupeve kriminale në Tiranë i tha hetuesve se nuk kishte dijeni që në një makinë të dytë të llojit BMW ka patur armë zjarri e vuri në dukje se ishte për të shoqëruar disa persona në Tiranë.

Sipas saj, grupi i djemve i tha se do të shkonin në Tiranë për të shoqëruar disa persona dhe asnjëherë nuk iu përmend se do të shitej arsenal armësh.

Por, pranoi lidhjen me automjetin tjetër duke pranuar se për të shkuar pa probleme në Tiranë, pati rolin e hapjes së rrugës e të vëzhgueses.

Të arrestuarit e tjerë në flagrancë, shtetasit Denis, Marjan e Sabian Hasaj, si dhe Redi Nika, nuk treguan asnjë detaj, duke mos bashkëpunuar me autoritetet.

Njoftimi zyrtar i një dite më parë: 

Grupi hetimor pritet të analizojë aparatet celularë të secilit prej të prangosurve, për të zbardhur prova të tjera mbi veprimtarinë kriminale. Ndërkaq, armët e sekuestruara (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krehër e municion luftarak, rezultojnë të jenë nga trazirat e vitit 1997 në vend, por ende aktive e në përdorim.

Drejtoria Vendore e Policisë në Tiranë njoftoi sot se Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për disa shtetas që dyshohej se transportonin armë zjarri, nga Shkodra drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repishti”.

Si rezultat i tij në një parking në Rrugën e Rinasit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit: S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe, D. H., 18 vjeç dhe M.H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin M.H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krehër e municion luftarak.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për t’i shitur tek persona të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE