Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri arritën vlerë rekord vitin e kaluar!

vovalbania April 24, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri arritën vlerë rekord vitin e kaluar!

Çmimet e larta dhe forcimi i lekut, fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri arritën vlerë rekord vitin e kaluar, në mbi 1 miliard eurove. Më 2023-shin, të ardhurat e investitorëve të huaj u rritën me 14.6% krahasuar me një vit më parë. Shuma përfaqëson zërin e të ardhurave nga investimet në Bilancin e Pagesave e përfshin fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.

Nëse nga shuma totale e të ardhurave nga investimet zbritet vlera e fitimeve të riinvestuara, shuma e tërhequr nga investitorët e huaj vitin e kaluar mund të llogaritet në 211 milion euro, me rritje prej 37% krahasuar me 2022-shin. Në anën e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet u rritën në 200 milion euro, 43% më shumë krahasuar me 2022-shin.

Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 813 milion eurove. Në këtë zë, deficiti u rrit me 9.3% krahasuar me një vit më parë. Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se ato shqiptare jashtë vendit, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të shpjegohet me disa faktorë.

Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fitimeve. Por, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ishte 9% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në periudha të veçanta vjetore, arriti deri në 14%.

Në përgjithësi, ndërmarrjet e huaja  i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit. Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për vitin 2023, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 803 milion euro, 10% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Fitimet e riinvestuara përbënin 54% të vlerës totale të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49585 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE