Çmimi Botëror i Lirisë së Shtypit 2024 për gazetarët palestinezë!

vovalbania May 03, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Çmimi Botëror i Lirisë së Shtypit 2024 për gazetarët palestinezë!

Gazetarët palestinezë që mbulojnë luftën në Gaza janë shpërblyer me çmimin për “Lirinë e Shtypit”, siç njoftoi UNESCO. Vlerësimi iu akordua mbrëmë në Kili. “Në këto kohë errësire dhe dëshpërimi, ne dëshirojmë të ndajmë një mesazh të fortë solidariteti dhe njohjeje për ata gazetarë palestinezë që po mbulojnë këtë krizë në rrethana kaq dramatike”, tha presidenti i jurisë, Mauricio Weibel.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” shprehu shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë, duke vënë në dukje se “po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike”. Në Indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit të hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

Gjetjet mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, me rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikësh.

Një numër në rritje shtetesh dhe autoritetesh politike nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët, si dhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur e të larmishëm. Organizata “Reporterët pa Kufij” vëren rënie shqetësuese të mbështetjes e respektimit të pavarësisë së medias, si dhe rritje të trysnisë nga shteti ose të tjerë aktorë politikë.

Nivelin e shtypit, Indeksi e klasifikon  si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”. Për të tetin vit radhazi,  Norvegjia renditet e para ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria, si dhe Eritrea.

Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnjë-Hercegovinë e renditur e 81-ta, Serbia e 98-ta dhe Shqipëria e 99-ta. Turqia që klasifikohet e 158-ta vazhdon të burgosë gazetarët e po ashtu të minojë median nëpërmjet censurës në platformat online e nëpërmjet kontrollit mbi pushtetin gjyqësor.
Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore e po ashtu në Azinë Qendrore, aty ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më tepër në fushata dezinformimi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51373 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE