Dakordësi maxhorancë-opozitë mbi nismat për pastrimin e politikës nga bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit!
Sot në Konferencën e Kryetarëve, maxhoranca dhe opozita i dhanë dritën jeshile nismave respektive, përmes të cilave synohet t’i jepet fund karrierës politike të personave që në të shkuarën kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit apo të favorizuar prej tij. Socialistët dhanë miratimin për tre propozime nga grupi Alibeaj: Shpalljen Muze Kombëtar të burgut famëkeq të Spaçit e të kampit të internimit të Tepelenës, Dekomunistizimin e Shoqërisë dhe Deklasifikimin e Dosjeve te ish-Sigurimit të Shtetit.
Në këtë pikë, duket se demokratët janë në të njëjtën linjë me maxhorancën socialiste, që kërkon evidentimin e shpejtë të bashkëpunëtoreve të ish-Sigurimit të Shtetit për t’i nxjerrë jashtë Parlamentit dhe Politikës.
Nismat ligjore të Partisë Socialistëve synojnë jo vetëm ndërhyrje në ligjin e Dekriminalizimit e në Kodin Zgjedhor, por edhe në ligjin e partive, për të përjashtuar nga Kuvendi e gjithashtu nga drejtimi i subjekteve politike të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ndërkohë, pasojat e ndryshimeve ligjore të propozuara nga socialistët nuk bien vetëm mbi një person të caktuar, por edhe mbi forcën politike që ai drejton. Kështu, nëse kryetari i partisë rezulton të jetë në dosjet e Sigurimit të Shtetit e nuk zbaton ligjin, rrezikon që subjekti politik që drejton të shpërbëhet.
Në një vjeshtë që politikisht parashikohet edhe më e nxehtë se vera, ligjvënësit rikthehen më 5 shtator, pra të hënën.
Sot në daljen për media, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk e komentoi dakordësine e parë të socialisteve dhe demokratëve në nisje të sesionit të ri parlamentar, ndërsa deklaroi:
Opozita do t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb e do t’i shkulë çdo dhëmb e dhëmballë të korruptuar. E dimë guximin e lepurushit Edi Rama. Opozitën do të ketë përballë!