44 viktima në radhët e palestinezëve, arrihet armëpushim me Izraelin!

vovalbania August 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
44 viktima në radhët e palestinezëve, arrihet armëpushim me Izraelin!

Gjatë natës, u respektua një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe militantëve palestinezë, pas dhunës së fundit tre ditore. Akordin që hyri në fuqi mbrëmjen e 7 gushtit e ndërmjetësoi Egjipti, ndërsa të paktën 44 persona humbën jetën, nga e enjtja e javës që lamë pas. Liderët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje palëve, të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin.

Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden kërkoi të gjenden mënyrat, që furnizimet humanitare e të karburanteve, të mund të dërgohen në Gaza. Ndër të tjera, shefi i Shtëpisë së Bardhë, apeloi të hetohen rastet e vdekjeve të civilëve.

Një ditë më parë, ushtria izraelite konfirmoi se po sulmonte objektivat e Xhihadit Islamik Palestinez në Gaza, pak para hyrjes në fuqi të armëpushimit. Izraeli tha se “sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj raketave të hedhura nga Gaza”. Ndërkohë, mediat izraelite njoftuan se u lançuan disa raketa, pak pas afatit për hyrjen në fuqi të armëpushimit. Por, të tjera raste të dhunës, nuk u raportuan gjatë natës.

Tensionet e fundit nisën me sulmet izraelite në Rripin e Gazës, kundër kërcënimeve të grupit militant Xhihadi Islamik. Në ditët pasuese, ato u rritën dhe Izraeli arrestoi një anëtar të lartë të Xhihadit Islamik Palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 15 fëmijë janë në mesin e 44 viktimave dhe fajësoi “agresionin izraelit” për këto vdekje. Të njëjtat burime raportuan për mbi 300 të plagosur.

Por, Izraeli akuzon militantët e Xhihadit Islamik Palestinez për disa nga vdekjet brenda Gazës. Këtë grup e cilëson “përgjegjës” për sulmet me raketa që vranë disa fëmijë në Jabalia. Autoritetet shëndetësore në Gaza janë të shqetësuara për situatën humanitare, duke vënë në dukje se nuk kanë karburante të mjaftueshme për të mbajtur në punë gjeneratorët në spitale. Ndërkohë, Izraeli u shpreh se rezervon të drejtën të “përgjigjet fuqishëm”, nëse shkelet armëpushimi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45351 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE