Më 17 gusht, shefi i NATO-s Stoltenberg pret në takime Vuçiçin e Kurtin!

vovalbania August 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Më 17 gusht, shefi i NATO-s Stoltenberg pret në takime Vuçiçin e Kurtin!

Më 17 gusht, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Bisedimet do të zhvillohen vetëm një ditë para raundit të ri të dialogut mes Kosovës e Serbisë e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Sipas njoftimit zyrtar nga Aleanca, “fillimisht, Stoltenberg takohet me Vuçiçin, më pas me Kurtin”. Me secilin do të japë nga një konferencë shtypi, ndërsa në fund të korrikut e në fillim të gushtit pati tensione në veri të Kosovës. Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare të Jarinjës e Bërnjakut, të cilat lidhin Kosovën e Serbinë. Kjo për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Prishtinës për targat e dokumentet serbe.

Më 31 korrik, NATO deklaroi se misioni i Aleancës në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend. Të njëjtën deklaratë bëri edhe Stoltenberg gjatë një bisede me Vuçiçin, më 3 gusht. Pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, me kushtin që të largoheshin barrikadat e vendosura e që më pas u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Ndërkaq, më 18 gusht, sipas ftesës së shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell do të bisedohet për “të gjitha çështjet e hapura” mes Kosovës e Serbisë. Por, nga Unioni ende nuk jepen detaje mbi axhendën e takimit.

Kryeministri Kurti bëri të qartë se në raundin e ri të bisedimeve nuk do të diskutojë për dy vendimet mbi reciprocitetin e që pritet të zbatohen nga 1 shtatori. Një prej tyre lidhet me lëshimin e një dokumenti për hyrje-daljet e shtetasve të Serbisë në Kosovë. Këtë praktikë, Beogradi e aplikon prej 11 vitesh për shtetasit e Kosovës.  Vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e targave të makinave me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Targat si KM, PZ, UR e të ngjashme përdoren në veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe nga Prishtina konsiderohen ilegale.

Takimi më i fundit Kurti-Vuçiç daton korrikun e vitit të kaluar, në kuadër të dialogut në Bruksel. Presidenti serb nuk beson se do të arrihet ndonjë rezultat më 18 gusht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 52182 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE