Një qeveri që mbijetoi vetëm tre muaj e gjysmë, çfarë e rrëzoi Dritan Abazoviç nga pushteti?!
Vetëm tre muaj e gjysmë qëndroi në post qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviç. Në rrëzimin e qeverisë malazeze luajti rol qëndrimi i Abazoviç ndaj kishës ortodokse serbe. Parlamenti në Mal të Zi rrëzoi qeverinë e kryeministrit, Dritan Abazoviç natën e së shtunës. 50 nga 81 deputetë votuan mbrëmjen e djeshme me iniciativën e partisë së presidentit Milo Gjukanoviç dhe katër grupeve parlamentare.
Ekologjisti liberal Abazoviç kishte zemëruar dy javë më parë presidentin e vendit, sepse kishte nënshkruar një marrëveshje të kontestuar me kishën ortodokse serbe. Kjo marrëveshje është mjaft e debatuar në Malin e Zi, sepse i jep të drejta të veçanta, kishës ortodokse serbe të kontrolluar nga Beogradi.
Mali i Zi shpalli pavarësinë në vitin 2006, atëherë në ujdi me shtetin serb. Sot qeveria në Beograd përpiqet përmes kishës dhe partive lokale proserbe e organizatave të tjera të ushtrojë ndikim në Malin e Zi, vend anëtar i NATO-s nga viti 2017. 36-vjeçari Abazoviç e mori postin më 28 prill, pasi qeveria e mëparshme proserbe u rrëzua nga parlamenti. Abazoviç ashtu si edhe presidenti Gjukanoviç konsiderohen me orientim perëndimor.
Për rrëzimin e qeverisë votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, Demokratët e Aleksa Beçiçit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviç nuk morën pjesë në votim.
Qeveria e Abazoviçit ishte një koalicion shumë partiak i pakicës me partinë e tij URA, Të Gjelbrit, socialdemokratët, partitë etinke të shqiptarëve dhe boshnjakëve si edhe një partie proserbe. Abazoviç do të vazhdojë të drejtojë qeverinë në detyrë, deri sa të zgjidhet kryeministri i ri.