“Policia në aksion” kundër kriminalitetit, dhjetëra të arrestuar e proceduar në një javë

vovalbania September 04, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
“Policia në aksion” kundër kriminalitetit, dhjetëra të arrestuar e proceduar në një javë

22 operacione janë zhvilluar vetëm gjatë kësaj jave në të gjithë vendin nga Policia e Shtetit. Vëmendjen e mori operacioni i koduar “Brain”, duke vënë në pranga bosin turk të kriptovalutave virtuale dhe dy shoqqëruesit e tij shqiptar. Gjatë kësaj jave, janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 513 persona nga të cilët 132 janë arrestuar, 344 proceduar penalisht dhe 37 janë shpallur në kërkim. Gjithashtu po ndiqen penalisht dhe 7 piromanë,të cilët qëllimisht kanë djegur pyje.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë punën në të gjithë vendin, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë kësaj jave janë zhvilluar 22 operacione policore.

Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albania me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit u finalizua operacioni policor “Brain”, duke vënë në pranga 2 shtetasit shqiptarë që e shoqëronin, një shtetas turk shumë të kërkuar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Një delegacion i lartë i Policisë turke erdhi posaçërisht në Shqipëri, për të shprehur falënderimet për kapjen e këtij shtetasi shumë të kërkuar nga Turqia.

Falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët vijojnë të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Digjital, janë zbardhur dhjetëra raste të vjedhjes së pronës dhe pasurisë së tyre.

Gjatë kësaj jave, janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 513 shtetas, nga këta: 132 janë arrestuar, 344 janë proceduar penalisht dhe 37 janë shpallur në kërkim.

Po ashtu janë kapur në total 21 persona në kërkim, nga të cilët: 19 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i kontrolleve masive, operacioneve dhe goditjeve nga DVP-të në qarqe, janë sekuestruar lëndë narkotike kanabis, heroinë, kokainë, MDMA, LSD, tableta me ekstazi, peshore elektronike, bimë kanabisi, shuma parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale, mallra të kontrabanduar dhe 2 automjete.

Në kuadër të operacionit “Ekstazi”, Policia e Shkodrës vuri në pranga 4 shtetas që tentuan të trafikonin lloje të ndryshme drogash drejt Malit të Zi. Ndërsa në Lezhë u zbardhën 5 raste të kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga 2 shtetas.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 7 raste dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak dhe 3 thika.

Po ashtu janë goditur 5 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 31 raste të dhunës në familje. Janë evidentuar dhe goditur 27 raste të krimeve mjedisore dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 39 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 21 raste.

Policia evidentoi dhe goditi 7 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar.

Nga ana e Policisë Rrugore vijon monitorimi i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, duke përdorur mjetet inteligjente bashkëkohore, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Gjatë kësaj jave janë pezulluar 278 leje drejtimi, nga të cilat: 231 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 24 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 23 për qarkullim në sens të kundërt.

Po ashtu janë arrestuar 40 drejtues mjetesh, nga këta: 20 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 20 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Nga Policia Rrugore e Tiranës janë goditur 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 1 rast i drejtimit të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia vendosi 10 945 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Kufitare ka dëshmuar angazhim maksimal për përballimin e fluksit në hyrje/dalje, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, për turistët, vizitorët, pushuesit dhe për të gjithë ata që vijnë apo dalin nga Shqipëria, për qëllime të ndryshme.

Gjatë javës janë bllokuar 3 mjete lundruese, për mungesë të dokumentacionit. Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese janë ndëshkuar me masa administrative nga 10 000 deri në 50 000 mijë lekë.

Po ashtu, gjatë kësaj jave janë kapur 5 shtetas në kërkim kombëtar, ndërsa shërbimet e Policisë Kufitare u kanë dhënë ndihmë në 4 raste, turistëve që gjendeshin në vështirësi të ndryshme. Policia e Vlorës u ka ardhur në ndihmë 2 turistëve gjermanë që kishin humbur orientimin, në Gadishullin e Karaburunit, dhe rrezikoheshin për shkak të terrenit shumë të vështirë, në këtë zonë.

Policia goditi 5 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe 1 rast i kundërshtimit të punonjësit të Policisë.

Gjithashtu procedoi penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 për “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 për “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe 1 për “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE