Danimarka si Britania, azilkërkuesit do t’i dërgojë në Ruandë!

vovalbania September 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Danimarka si Britania, azilkërkuesit do t’i dërgojë në Ruandë!

Ashtu si Britania e Madhe, edhe Danimarka do t’i dërgojë në Ruandë azil-kërkuesit, që aplikimet e tyre të shqyrtohen në këtë shtet afrikan e jo në territorin danez. Qeveritë e të dy vendeve ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit në politikat e azilit e të emigracionit.

Sistemin aktual të azilit, nuk e konsiderojnë funksional. Sipas Ministrisë daneze për të Huajt dhe Emigracionin, “një ndër zgjidhjet është përpjekja e përbashkët mbi një mekanizëm, për dërgimin e azilkërkuesve nga Danimarka në Ruandë”.

Të shqyrtohet atje procesi i aplikimit për azil dhe krijimi i mundësisë për mbrojtjen e tyre.

Në korrik të vitit të kaluar, maxhoranca daneze miratoi një ligj, që mundëson hapjen e qendrave të azilit në vende të tjera, ku autoritetet t’i transferojnë azilkërkuesit, deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre. Komisioni Europian e kritikoi këtë projekt e bëri të qartë se “mund të ndjekë edhe hapa ligjorë, nëse këto plane zbatohen”.

Pakti britanik për azilin me Ruandën

Edhe Britania e Madhe ndjek plane të ngjashme me Ruandën. Gjykata e Lartë në Londër, High Court, po shqyrton paktin e diskutueshëm britanik me Ruandën. Sipas marrëveshjes, “njerëzit të cilët në Britaninë e Madhe hynë ilegalisht, pavarësisht se nga vijnë dhe pa iu shqyrtuar kërkesën për azil, të dërgohen në Ruandë. Atje duhet t’u jepet mundësia të aplikojnë për azilin”.

Nëse përfitojnë azil, duhet të qëndrojnë në Ruandë. Në rast të kundërt, rrezikojnë kthimin në atdhe.

Këto plane, Organizata e Ndihmës për Refugjatët e OKB-së i konsideron “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Ipeshkvët e Anglisë thanë se “ky është një turp për Britaninë e Madhe”. Shumë azilkërkues, si dhe organizatat e refugjatëve ngritën padi kundër qendrimit të qeverisë britanike.

Me këtë plan, synohet të stepen njerëzit për të mos ndërmarrë hapa për hyrjen ilegalisht në Britaninë e Madhe. Por, deri tani asnjë emigrant nuk është dërguar në Ruandë. Në qershor, një fluturim i planifikuar për këtë qëllim u pezullua, bazuar në një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kryeministrja e re britanike Liz Truss, e cila deri tani ka qenë ministre e Jashtme, premtoi se do t’u përmbahet këtyre planeve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE