Lira turke zhvlerësohet në nivel rekord; inflacioni mbi 80%
Lira turke ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë, duke u tregtuar me 18.40 për një dollar amerikan. Kjo situatë vjen pasi Banka Qendrore e Turqisë e ka ulur normën e interesit – për herë të dytë brenda muajit – pavarësisht inflacionit të lartë.
Banka në Ankara ka thënë përmes një deklarate se “do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet” derisa të arrihet synimi i Qeverisë për inflacion 5 për qind.
Inflacioni turk ka rrëshqitur në mbi 80 për qind në gusht, sipas statistikave zyrtare.
Grupet e pavarura kërkimore besojnë se inflacioni brenda shtetit është dyfish më i madh sesa në shifrat zyrtare.
Banka Qendrore nuk e ka rritur normën e interesit prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Vendimet e Bankës janë në linjë me teorinë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan që normat e ulëta të interesit, do të ndikojnë në ulje të inflacionit.
Sasitë e mëdha të importit që paguhen në dollarë kanë pasur ndikim të rëndë në kompanitë e vogla dhe ato të mesme në Turqi prej mesit të vitit 2018, kur lira është përballur me rënie të lirë.
Rritja e inflacionit besohet se është shkaktuar nga lufta në Ukrainë, rritja e çmimeve të energjisë dhe zhvlerësimit të lirës turke.
Turqia është përballur me rritje të inflacionit që prej vjeshtës së kaluar dhe monedha kombëtare turke është zhvlerësuar.
Çmimet e konsumit janë rritur për 2.98 për qind tha të premten Instituti turk i Statistikave.
Ndërkaq, çmimet e ushqimit dhe transportit janë rritur me 108, respektivisht 92 për qind gjatë vitit të kaluar.
Ligjvënësit opozitarë në Turqi dhe ekonomistët kanë marrë me rezerva këto shifra të prezantuara nga Instituti turk i Statistikave, duke thënë se ata besojnë se niveli real i inflacioni është shumë më i lartë.