Ndërtimi në vend shënoi rekord historik vitin e kaluar/Vrulli vazhdon me ritme të larta!

vovalbania November 18, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ndërtimi në vend shënoi rekord historik vitin e kaluar/Vrulli vazhdon me ritme të larta!

Sektori i ndërtimit ka njohur rritje të fortë vitet e fundit, pas rënies ciklike që nisi nga 2008, duke arritur një rekord të ri në vitin 2021. Sipas të dhënave të INSTAT-it, të përpunuara nga Monitor, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i sektorit të ndërtimit, i matur me çmime korente, që vlerëson transaksionet ekonomike të sektorit arriti në 180 miliardë lekë (1.5 miliardë euro) në vitin 2021, duke shënuar një nivel rekord historik.

Pas ndryshimeve të tranzicionit, nga fillimi i viteve ‘90, pjesa më e madhe e kapitalit të lirë në vend ka shkuar për të ngritur apartamente e banesa private. Zhvillimet e vrullshme demografike dhe zhvendosja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane e nxitën këtë tendencë, që kulmoi në ciklin rritës deri në vitin 2008.

Pas kësaj periudhe, ky sektor hyri në një cikël maturimi e rënieje, duke reflektuar ngopjen e tregut dhe orientimin e bizneseve drejt sektorëve të tjerë. Në vitin 2013, ndërtimi arriti në nivelin më të ulët që prej 2005-ës. Por, pas vitit 2013, ndërtimi iu kthye sërish rritjes, i nxitur si nga projektet e infrastrukturës, ashtu dhe nga rikthimi i vrullit të projekteve rezidenciale, sidomos në kryeqytet, për të arritur një rekord të ri më 2021-shin.

Kjo tendencë pritet të vijojë, bazuar në sipërfaqen e lejeve të ndërtimit më 2021-shin dhe 6 mujorin e parë 2022. Sipas INSTAT-it, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milion metra katror, nivel rekord të paktën që nga viti 2010 kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80%, për ndërtime rezidenciale.

Po sipas INSTAT-it, vetëm në 6-mujorin e parë 2022, në kryeqytet u dha gati 1.2 milion m2 sipërfaqe leje ndërtimi ose sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022. Edhe sektori i pasurive të paluajtshme ka përshpejtuar ritmet e rritjes duke filluar nga 2018-a.

Sipas INSTAT-it, PBB me çmime korente në aktivitetin e real estate arriti në 112 miliardë lekë (gati 1 miliard euro) më 2021-n, duke arritur nivelin më të lartë historik të pas tranzicionit. Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit për Shqipërinë, këshilloi të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve e zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreziqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj. Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH-së për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme e ndërtimin, si dhe bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar. / Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE