“Welcome to Qatar”, sot starton Kupa e Botës, historike në tre aspekte/Katar-Ekuador ndeshja e parë!

vovalbania November 20, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Welcome to Qatar”, sot starton Kupa e Botës, historike në tre aspekte/Katar-Ekuador ndeshja e parë!

Kupa e Botës 2022, eventi më i madh sportiv nis sot në Katar, i përzgjedhur si vendi organizator i edicionit të 22-të, edicion që ka edhe tre veçanti historike. Për herë të parë nuk zhvillohet si tradicionalisht në qershor e korrik, për shkak të temperaturave shumë të larta të Katarit në këto dy muaj vere. Gjithashtu, ky është i fundit edicion me pjesëmarrjen e vetëm 32 kombëtareve. Nga viti 2026, pjesëmarrëse do të jenë 48 skuadra. Nuk përjashtohej që zgjerimi i kompeticionit të ndodhte që në Botërorin e këtij viti, por u shty. Po ashtu, Katari hyn në histori si i pari vend i Lindjes së Mesme që fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës.

I projektuar me frymëzim nga tendat “bejt al sha’ar” që janë përdorur nga njerëzit e rajonit për shekuj me radhë, Stadiumi Al-Bayt përgatitet të “përshëndesë” botën në ndeshjen hapëse mes Katarit dhe Ekuadorit, sot në orën 17:00. Me një pamje të jashtëzakonshme, ku pasqyrohen edhe detajet me litarë të çadrave, stadiumi me një kapacitet prej 60 mijë personash ndodhet në veriun e largët të vendit e transporti sigurohet me autobusë nga stacioni i metrosë. Kapaciteti i stadiumit të ndërtuar në Al-Khor, një qytet i vogël në Katar e që do të presë ndeshje gjysmëfinale, nuk pritet të ndryshojë pas Kupës.

Ndërkohë, me karakteristika të ndryshme janë tetë stadiume që do të përdoren në Kampionatin Botëror. Një ditë më parë, në Doha u zhvillua ceremonia “Welcome to Qatar”, e realizuar nga komiteti organizator për t’i uruar mirëseardhjen botës e të gjithë tifozëve. Të pranishëm, drejtuesit më të lartë të Katarit, përfshirë Emirin e familjen e tij, si edhe një përfaqësi e FIFA-s, nën drejtimin e presidentit Gianni Infantino, krahas këshilltarëve që e shoqëronin.

Pjesëmarrësit ndoqën nga afër një spektakël dritash e fishekzjarresh që mbante firmën e studios Balich Wonder, të njëjtës i është besuar edhe ceremonia e hapjes. Katari ndërtoi tetë stadiume, duke kombinuar buxhetin e teknologjinë e lartë me estetikën arkitekturore, për të krijuar një organizim që do të lërë gjurmë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE