Firmoset marrëveshja, Shqipëria blen 3 dronë ‘Bayraktar’ nga Turqia!

vovalbania December 20, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Firmoset marrëveshja, Shqipëria blen 3 dronë ‘Bayraktar’ nga Turqia!

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes, përfaqësuesve të firmës turke ‘Bayraktar’, Ambasadorit të Republikës së Turqisë u nënshkrua sot në Tiranë marrëveshja për sigurimin e avionëve luftarakë pa pilot me firmën e njohur turke ‘Bayraktar’.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij shprehu mirënjohje për ndihmën që qeveria turke ka dhënë vitet e fundit në mbështetje të Forcave të Armatosura.

“Jam i sigurt se shfrytëzimi i këtyre aseteve në vendin tonë do të rrisë cilësisht kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe për të parandaluar fenomenet e paligjshme. Kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Ministri Peleshi shpjegoi edhe objektivat që kërkohen të arrihen përmes shtimit të këtyre kapaciteteve.

“Krijimi i kapaciteteve kombëtare shumepërdorimëshe dhe modulare për zbulim, vëzhgim dhe rikonicion më të mirë, në mbështetje ajrore te operacioneve të FARSH dhe gjatë operacioneve të emergjencave civile dhe operacioneve në ndihmë të komunitetit do të jenë disa prej objektivave që do të arrihen me sigurimin e këtyre aseteve. Modernizimi i Forcave të Armatosura do të jetë në vëmendje të vazhdueshme të qeverisë shqiptare. Gjatë viteve të fundit kemi bërë të mundur investime konkrete për trajtimin dhe trajnimin e personelit ushtarak, si dhe në blerje të pajisjeve, aseteve të rendësishme në funksion të Forcave të Armatosura”, theksoi Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes tha se, “kompletimi më këto sisteme ka rendësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të aleancës, si dhe vjen në respektim të detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”.

Firma ‘Bayraktar Technology’ është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit. Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjen mes Turqisë për blerjen e dronëve bajraktar. Rama tha se kjo marrëveshje është arritur falë partneritetit strategjik mes Turqisë dhe Shqipërisë, ndërsa tha se këta dronë janë të një niveli të lartë teknologjie.

“Të gjithë ne e dimë se kur vjen fala për mjete pa pilot, dronet nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh edhe të hysh, radhë, sepse radha është shumë e gjatë dhe nga ana tjetër është fati të jesh në anë e duhur. Krenar që jemi të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake, NATO-s dhe në të njëjtën kohë të jemi të rreshtuar në një partneritet strategjik mes nesh dhe Turqisë. Marrëdhënie e natyrshme e ndërtuar ndër vite, sot është në pikën më të mirë.

Me këtë marrëveshje nuk po sjellim këtu në Shqipëri teknologjinë më të mirë të lartë në këtë fushë, por kështu do sjellim në Shqipëri një fushë të re njohurish dhe është shumë mirë që marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët por ka të bëjë edhe me ndërtimin e një ure mes FA tona dhe kompanisë bajraktar që do kujdeset për trajnimin e njerëzve, më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihëm e kompanisë bajraktar që do vihen në një trajnim dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, tha Rama.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE