Sulme ruse në Kherson, 5 viktima/Zelensky: Rusia vret për të nxitur frikë!

vovalbania December 24, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulme ruse në Kherson, 5 viktima/Zelensky: Rusia vret për të nxitur frikë!

Sot në një postim në Telegram, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkruante se “Rusia po vret me synimin për të nxitur frikë, si dhe thjesht për hir të kënaqësisë”. Komentet pasojnë një sulm të trupave ruse në qytetin e çliruar së fundmi, Kherson e ku për pasojë u vranë të paktën pesë persona dhe u plagosën njëzet të tjerë.

Postimin e tij, presidenti ukrainas e shoqëroi me foto nga vendngjarja, ku shfaqen makina të djegura dhe pamje të rënda, pasi duken trupa të pajetë.

Me shumë gjasa, rrjetet sociale do t’i shënojnë këto foto si me përmbajtje të ndjeshme. Por, ato nuk janë ashtu. Kjo është jeta reale e Ukrainës dhe ukrainasve!

Më herët gjatë ditës së sotme, Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se Rusia po përballet me mungesë municionesh në luftën e saj në Ukrainë. Sipas Inteligjencës së Londrës, edhe pse Moska arriti të lehtësojë mungesat e menjëhershme në personel, mungesa e municioneve ka shumë të ngjarë të mbetet faktori kyç kufizues në operacionet ruse.

Ka të ngjarë që Rusia të kufizojë sulmet e saj me raketa me rreze të gjatë veprimi kundër infrastrukturës ukrainase, në rreth një herë në javë. Kjo për shkak të sasive të kufizuara në dispozicion me raketa me vetëdrejtim. Po kështu, Rusia nuk ka gjasa të ketë rritur stokun e saj në artileri, aq sa për të mundësuar operacione sulmi në shkallë më të gjerë.

Sipas ministrisë britanike të Mbrojtjes, mungesa e municioneve ka bërë që Rusia të jetë e pambrojtur. Zhvillimi i operacioneve mbrojtëse përgjatë vijës së gjatë të frontit kërkon një shpenzim të konsiderueshëm ditor në predha dhe raketa.

Po ashtu, presidenti Zelensky paralajmëroi sulme të mundshme ruse edhe për sezonin festiv, ndërsa nesër festohet Krishtlindja. Zelensky u bëri thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë, se sipas tij, “terroristët rusë mund të aktivizohen përsëri”. Pas kthimit në Kiev nga Uashingtoni, kreu i shtetit takoi drejtues ushtarakë e bëri të ditur se ushtria po përgatitet për muajt e ardhshëm.

Zelensky theksoi se detyrat e Kievin mbeten të pandryshuara e veçoi çlirimin dhe sigurinë për popullin ukrainas, krahas rindërtimit të Ukrainës pas sulmeve ruse. “Këta janë komponentët e fitores së Ukrainës, që ne po u afrohemi hap pas hapi”, deklaroi presidenti. Sot mbushen plot 10 muaj nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, me preteksin e çmilitarizimit të vendit. Lufta ka çuar në pasoja ekonomike në mbarë botën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48688 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE