Mbi 7 mijë viktima në Turqi e Siri nga tërmeti tragjik; tre muaj gjendje e jashtëzakonshme

vovalbania February 07, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mbi 7 mijë viktima në Turqi e Siri nga tërmeti tragjik; tre muaj gjendje e jashtëzakonshme

Reshjet e dendura të shiut e borës po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, të vëna në garë me kohë për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit shkatërrimtar që goditi orët e para të së hënës Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinje.

Mbi 7 mijë të vdekur e 18,000 të plagosur është deri tani bilanci i fatkeqësisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në mënyrë dramatike pasi ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gjejnë trupa të pajetë nën rrënoja. Në provincën jugore të Hatay-t, zëri i një gruaje është dëgjuar të thërrasë për ndihmë nën një pirg gërmadhash, por nuk është nxjerrë dot. Pamjet tronditëse të përcjella nga AFP, që tregojnë momentet e nxjerrjes së trupave të pajetë të dy vëllezërve të përqafuar, u kthyen në dëshminë më të dhimbshme deri tani të tragjedisë që ka pllakosur Turqinë. Nuk mungojnë megjithatë as lajmet e shpresës, siç ishte ai i shpëtimit të një gruaje dhe tre fëmijëve të saj pas 28 orësh të kaluara nën gërmadha.

Mjaft njerëz në zonën e fatkeqësisë kanë ende shumë frikë që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 të mëngjesit të hënën në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit turk të Gaziantep, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Sizmologët thonë se ishte një nga më të mëdhenjtë e regjistruar ndonjëherë në Turqi, ku gati 7000 janë të vdekurit deri tani. Të mbijetuarit thonë se lëkundjet e dhunshme të tokës zgjatën për dy minuta. Një tërmet tjetër me një magnitudë 7.5 ra disa orë më vonë, me epiqendër Elbistanin në provincën Kahramanmaras.

Pak ekipe shpëtimi kanë mbërritur në këtë zonë të Turqisë jugore për të vlerësuar dëmet e për të ofruar ndihmë jetike. Pothuajse 8,000 njerëz janë shpëtuar nga më shumë se 4,700 ndërtesa të rrafshuara me tokën sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë.

Teksa pas lëkundjet kanë vazhduar gjatë gjithë natës, punonjësit e shpëtimit në disa zona kanë gërmuar edhe me duar nëpër gërmadha, por ngricat po i pengojnë përpjekjet e tyre. Gati 1.500 janë të vdekurit në Siri, ku miliona refugjatë jetojnë në kampe të ngritura pranë kufirit me Turqinë. Mijëra vetë kanë mbetur të pastrehë në një kohë kur temperaturat kanë rënë nën zero. Lëkundjet e tokës janë ndjerë deri në Liban dhe në Qipro e madje ato janë kapur edhe nga aparaturat matëse në Groenlandë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE