Burrave iu rrit rroga më shumë se grave në vitin 2022!

vovalbania July 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Burrave iu rrit rroga më shumë se grave në vitin 2022!

Problematika për gjetjen e fuqisë punëtore u bë shumë e mprehtë vitin e kaluar, ndërsa për shkak të emigracionit, shumë sipërmarrje nuk arrinin të gjenin mjaftueshëm punonjës, çka nxiti dhe rritje pagash në shumë sektorë. Nga kjo situatë, më të fituar duket se kanë dalë burrat në raport me gratë.

Të dhënat e fundit të INSTAT-it tregojnë se paga mesatare e meshkujve shënoi rritje më të shpejtë më 2022-shin, në raport me të femrave. Mesatarisht, një punonjës në vend u pagua me 61,898 bruto në muaj më 2022-shin, me rritje nominale prej 8.2%.

Për meshkujt, paga mesatare ishte 63,773, me një rritje prej 9.2%.

Për femrat, paga mesatare arriti në 59,813 ose 7.3% më shumë se një vit më parë.

Rritja me ritme më të larta e pagave të burrave në krahasim me të grave bëri që sërish të thellohet hendeku gjinor mes pagesave të të dy gjinive. Gratë u paguan 6.2% më pak se burrat më 2022-shin, nga 4.2% që zbriti diferenca më 2021-shin. Gjithsesi, hendeku është më i ulët në raport me 2015-ën kur burrat kishin një pagë mesatarisht 11.5% më të lartë se gratë.

Gratë në drejtim paguhen më shumë

Të dhënat e INSTAT-it, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se nga 36 grup-profesione që raporton INSTAT-i, vetëm në 5 prej tyre gratë paguhen më shumë. Fusha ku gratë “shkëlqejnë” është drejtimi.

Në grup profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë”, femrat kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 189,393 në vitin 2022. Ky nivel, jo vetëm që është paga më e lartë nga të gjithë grup profesionet në vend, por është dhe 11.1% më e lartë se e meshkujve. Në krahasim me një vit më parë, paga për këtë grup-profesion u rrit me rreth 10%, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë është grupi tjetër, ku femrat marrin më shumë se meshkujt. Paga e femrave në këtë grup është 64,365 lekë ose 10.7% më shumë se burrat.

Në dy profesionet e tjera, “Punëtorë shërbimi dhe ndihmës” dhe “Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes”, gratë marrin përkatësisht 1.3% e 1.1% më shumë se burrat.

Administrata është institucioni që nuk i “diskriminon” femrat në paga, teksa “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” marrin njësoj, rreth 92 mijë lekë në muaj.

Ndërsa në arsim preferenca është tek meshkujt, që paguhen gati 80 mijë lekë në muaj, ose 12% më shumë se gratë e të njëjtit profesion.

Edhe në shëndetësi ekziston diferenca. Grup profesioni “Specialistë të shëndetësisë” i paguan meshkujt 85.8 mijë lekë në muaj ose 13.8% më shumë se femrat. Për “Asistentë të specializuar të shëndetësisë”, paga mujore e burrave është 65.8 mijë lekë ose rreth 8% më shumë se e grave të të njëjtit profesion.

Diferenca më e lartë femra meshkuj është në prodhim, ku rekordin e mban industria, që i paguan burrat 24.6% më shumë se gratë./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48852 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE