Puçi ushtarak, SHBA-të evakuojnë pjesërisht ambasadën në Niger!

vovalbania August 03, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Puçi ushtarak, SHBA-të evakuojnë pjesërisht ambasadën në Niger!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA-të kanë marrë vendim për evakuim të pjesshëm të ambasadës së Uashingtonit në Niger, pas puçit ushtarak të javës së kaluar. Tashmë janë disa qindra shtetas të huaj, të evakuar nga ky shtet afrikan pasi Ambasada e Francës u sulmua nga protestuesit, të dielën që shkoi, më 30 korrik.

Personi që është në krye të grushtit të shtetit, gjenerali Abdourahamane Tchiani, paralajmëroi kundër “çdo ndërhyrjeje në punët e brendshme” të vendit. Nigeri është prodhues i madh i uraniumit e shtrihet në një rrugë kyçe të emigrimit mes Afrikës së Veriut e Mesdheut.

Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se një ditë më parë, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken foli me presidentin e rrëzuar nga pushteti, Mohamed Bazoum dhe vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për rikthimin e demokracisë në Niger vetëm përmes një qeverie të dalë nga zgjedhjet.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se pavarësisht evakuimit të pjesshëm, ambasada në Niger do të vazhdojë të jetë e hapur.

Ne jemi të përkushtuar ndaj njerëzve dhe lidhjeve tona me Nigerin e po ashtu jemi të angazhuar në nivelin më të lartë diplomatik.

Amerika njihet si donatore e madhe e ndihmës humanitare dhe gjithashtu ndihmës në fushën e sigurisë në Niger. Paraprakisht, ky vend ka paralajmëruar se puçi ushtarak mund të rezultojë me pezullim të të gjithë ndihmës, çka mbetet të shihet.

Franca që dikur e ka pasur Nigerin koloni dhe Bashkimi Europian, tashmë e kanë pezulluar të gjithë ndihmën për këtë shtet.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore, bllok i 15 vendeve të Afrikës Perëndimore ka vendosur sanksione ndaj Nigerit e që përfshin bllokimin e të gjitha transaksioneve tregtare me vendin në fjalë, si dhe ngrirjen e të gjitha aseteve shtetërore në bankën qendrore rajonale.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49289 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE