Turizmi, shtigjet do të dixhitalizohen që turistët t’i aksesojnë online!

vovalbania August 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Turizmi, shtigjet do të dixhitalizohen që turistët t’i aksesojnë online!

Shtigjet ekzistuese dhe mundësitë e shtigjeve të reja në zona që po marrin gjithmonë e më shumë vëmendje turistike pritet që të kalojnë një proces dixhitalizimi që synon lehtësimin e aksesit të tyre për vizitorët.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore shpalli kompaninë fituese për kontratën “Shtigjet në zonat e mbrojtura: Studimi, përmirësimi, mirëmbajtja, markimi dhe hapja e shtigjeve të reja, dixhitalizimi për aksesin e tyre online”.

Referuar dokumenteve, procedura synon zhvillimin gjithëpërfshirës të zonave e të territorit të tyre, nëpërmjet krijimit të një sistemi të integruar të shtigjeve për ecje në natyrë. Kjo si bazë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në zonat me vlera të larta natyrore.

Kjo do të shërbejë për tërheqjen e vizitorëve vendas e të huaj, si dhe për zgjatjen e kohës së qëndrimit të tyre. Po ashtu do të ofrojë kushte për zhvillimin e ekonomisë lokale e të cilësisë së jetës për banorët lokalë. Nëpërmjet këtij projekti parashikohet të përmirësohet oferta turistike e në të njëjtën kohë të bëhet mirëmbajtje e zonave të mbrojtura.

Projekti ka të paktën shtatë objektiva. Së pari, analizimi i gjendjes aktuale të shtigjeve ekzistuese. Së dyti, hartimi i projektit të zbatimit për punimet e mirëmbajtjes për krijimin e hapësirave për pushim gjatë ecjes në shteg, ballkoneve panoramikë e sinjalistikës së pesë shtigjeve.

Së treti, unifikimi i shënjimit të shtigjeve. Së katërti, shqyrtimi për mundësinë e hapjes së shtigjeve të reja që në rrugëtim përfshijnë monumente natyrorë ose kulturorë. Së pesti, krijimi i 100 guidave në format libërthi, me hartat e shtigjeve, si edhe me informacion mbi zonën e mbrojtur.

Ngritja e një platforme online në formën e një website, e cila do të përmbajë të gjithë informacionin që gjendet në terren në formë të dixhitalizuar. Së fundmi, ngritja e kapaciteteve për të kataloguar informacionin e për ta vendosur në platformë.

Projekti i nisur nga AKZM merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e bum-it turistik të vendit ku interesi është në rritje si për turizmin e rërës, ashtu dhe për të aventurës. Mungesa e informacionit online, por edhe mosunifikimi i shtigjeve sa i takon sinjalistikës, ka bërë që në disa raste turistët të humbasin e në të tjera akoma, edhe për shkak të pakujdesisë apo mosinformimit nga guida lokale, të përfundojnë deri në humbje jete./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE