Kryeministri Netanyahu: Shumë shpejt marrëveshja diplomatike izraelito-saudite!

vovalbania September 23, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kryeministri Netanyahu: Shumë shpejt marrëveshja diplomatike izraelito-saudite!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu bëri të ditur se është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të normalizuar lidhjet me Arabinë Saudite. Duke folur për rrjetin televiziv amerikan, Fox News, shefi i qeverisë së Izraelit u shpreh:

Ne ndoshta do ta arrijmë në fund sepse ka kuptim, por mendoj se nëse duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi duhet ta bëjmë atë në muajt e ardhshëm.

Për muaj të tërë, ka pasur spekulime nëse Arabia Saudite mund të jetë vendi i radhës në botën arabe që do të normalizojë marrëdhëniet e saj me shtetin hebraik.

Në shtator të vitit 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini ishin dy vendet e para të Gjirit që vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020, po nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHBA-ve.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk e fshehu optimizmin për ngrohjen e marrëdhënieve diplomatike. Në lidhje me marrëveshjen izraelito-saudite, u shpreh:

Unë mendoj se ne po i afrohemi paqes, çdo ditë që kalon.

Tre ditë më parë, Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman konfirmoi në një intervistë se të dy vendet janë duke ecur në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Zyrtarisht dihet që Riadi nuk ka marrëdhënie me Izraelin, por në mënyrë të fshehtë të dy vendet kanë punuar së bashku për çështjet e sigurisë dhe këtë e kanë bërë për disa kohë.

Netanyahu vuri në dukje se mendon që palestinezët duhet të jenë pjesë e procesit, por nuk është i mendimit se palestinezët duhet të kenë të drejtën e vetos mbi këtë proces. Ai akuzoi udhëheqjen palestineze se nuk kërkon vërtet një zgjidhje paqësore që nga nënshkrimi i traktateve të paqes me Izraelin në vitin 1993, pra 30 vjet më parë.

Palestinezët nuk duan paqe me Izraelin, ata duan paqe në vend të Izraelit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49445 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE