Me mision në Letoni, kanadezja akuzon një ushtar shqiptar se e sulmoi seksualisht!

vovalbania October 05, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Me mision në Letoni, kanadezja akuzon një ushtar shqiptar se e sulmoi seksualisht!

Një pjesëtare e stafit civil të Forcave Kanadeze pretendon se është sulmuar seksualisht në bazën e NATO-s në kampin Adazi në Letoni dhe për këtë akuzon një ushtar shqiptar. Gazeta Ottawacitizen siguroi dokumentet e dosjes hetimore të çështjes së ngritur nga Kristen Adams për sulmin në fjalë dhe i ka bërë publike.

Kristen Adams ka kërkuar përgjigje nga drejtuesit e lartë të ushtrisë kanadeze në lidhje me sulmin me të cilin thotë se u përball kur punonte në mensën e drejtuar nga Kanadaja për trupat e saj në Letoni. Raportet dhe dokumentet e policisë ushtarake kanadeze vunë në dukje se Adams u sulmua seksualisht kur një ushtar shqiptar, (identiteti i të cilit nuk bëhet publik) e kapi nga gjoksi, më 3 dhjetor 2022.

Adams, e cila më parë ka punuar me kontratë në Mbrojtjen Kombëtare në Garrison Petawawa ishte punësuar nga Shërbimet e Morales dhe Mirëqenies së Forcave Kanadeze (CFMWS), organizatë që punon në emër të shefit të mbrojtjes për të ofruar programe dhe shërbime për anëtarët ushtarakë në bazat e NATO-s.

Sulmi ndaj Adams ndodhi në kampin Adazi pranë kryeqytetit të Letonisë, Riga. Në një letër përgjigje të 10 majit 2023, CFMWS i shkruante Adams-it se ajo duhej të kishte kuptuar se mund të përballej edhe me rreziqe të tilla kur pranoi punën në mbështetje të misionit ushtarak të Kanadasë në Letoni.

Siç u informuat gjatë trajnimit para-vendosjes, i cili ndodhi nga 6 deri më 15 shtator 2022, ka rreziqe të përfshira në vendosjen në një bazë operacionesh ku shumë vende punojnë dhe jetojnë së bashku e ku ekzistojnë dallime kulturore. Si rezultat, duke pranuar të dislokoheni në këtë mjedis, ju po merrni përsipër një rrezik të caktuar për të punuar.

Adams u shpreh e neveritur nga përgjigja.

Që kur sulmi seksual konsiderohet si pjesë e dallimeve kulturore apo pjesë e një përshkrimi të punës? Ai po ma vë fajin mua duke pretenduar se duhet ta kisha ditur se mund të sulmohesha seksualisht në vendin tim të punës. Ata nuk duan që asgjë të shkaktojë siklet për misionin e Letonisë. E gjitha ka të bëjë me mbrojtjen e misionit.

Në korrik, kryeministri Justin Trudeau njoftoi se si pjesë e një angazhimi të madh ndaj NATO-s, Kanadaja do të shpenzonte 2.6 miliardë dollarë të tjerë për të dyfishuar numrin e trupave në Letoni. Kanadaja ka afërsisht 1000 vetë personel ushtarak në atë vend.

Adams shtoi se ishte duke punuar në mensën e njohur si Commons, kur pa një ushtar shqiptar, të cilin e njihte. Të dy janë përshëndetur, por më pas shqiptari i kapi gjoksin e majtë, duke i thënë: “Oh, ti je shumë e fortë”.

Policia ushtarake kanadeze i tha Adams-it se sipas rregullave të NATO-s, ata nuk kishin juridiksion për të hetuar edhe pse incidenti ndodhi në një strukturë kanadeze.

Policia ushtarake letoneze shqyrtoi rastin, por Adams theksoi se ata nuk pyetën asnjë dëshmitar. Pyetjet e bëra ishin vetëm me të dhe me ushtarin shqiptar.

Më 14 dhjetor, policia ushtarake letoneze vendosi se nuk do të hetonte më tej, ndërsa ajo kanadeze krijoi një dosje hije me detajet e incidentit. Një dosje hije është një dokument i Forcave Kanadeze në lidhje me një çështje për të cilën ushtria ka interes, por jo kontroll të drejtpërdrejtë mbi të.

Këto detaje dhe ai raport nuk e kundërshtojnë versionin e ngjarjeve të Adams-it.

Më 3 dhjetor 2022, viktima ishte duke punuar si punonjëse civile kur një pjesëtar ushtarak nga një komb tjetër e preku në mënyrë të papërshtatshme dhe pa pëlqimin e saj.

Kontrata e Adams-it u përfundua dy muaj më herët nga CFMWS.

Ky vendim u mor për t’u siguruar që nuk ka rrezik të mëtejshëm për shëndetin tuaj.

CFMWS e dëmshpërbleu me 11,833 dollarë, për përfundimin e parakohshëm të kontratës.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49066 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE