Izraelitët në sulm, 7 palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor!

vovalbania November 03, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraelitët në sulm, 7 palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor!

Orët e fundit, forcat izraelite vranë shtatë palestinezë dhe arrestuan disa të tjerë në Bregun e pushtuar Perëndimor. Tre vetë gjetën vdekjen në Xhenin, dy në Hebron, një në Nablus e një në Kalandija. Në Xhenin pati edhe një sulm ajror. Forcat izraelite vranë edhe militantë të Hamasit, pasi hodhën eksplozivë drejt ushtarëve. Gjetëm eksplozivë të fshehur në rrugët që çojnë në kampin e refugjatëve në Xhenin, si edhe municione në një hapësirë nëntokësore.

Në Nablus, forcat izraelite shkatërruan shtëpinë e një militanti palestinez, të cilin e akuzojnë se kohë më parë kreu sulme me armë zjarri në qytetin Huvara, duke vrarë dy izraelitë.

Në mbarë Bregun Perëndimor, ushtria izraelite ka arrestuar 37 palestinezë, 17 prej të cilëve i ka identifikuar si militantë të Hamasit. Izraeli ka intensifikuar bastisjet në fshatrat dhe qytetet palestineze në Bregun Perëndimor, që kur nisi lufta Izrael-Hamas më 7 tetor. Gjatë këtyre operacioneve, në Bregun Perëndimor janë vrarë të paktën 141 palestinezë.

Mbi 3.700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftimeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milion banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve gjenden buzë kolapsit.

Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gaza, por vlerësohet se kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite refuzuan të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, nga frika se Hamasi do t’i përdorë për qëllime ushtarake. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha se SHBA-të nuk po kërkojnë armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme e të lokalizuar”.

Izraeli dhe Amerika duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas, nëse Hamasi mposhtet. Kjo do të jetë pyetje kyçe në axhendën e Blinkenit sot në Izrael.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50062 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE