Kurti: Ka rrezik të përsëritjes se sulmeve të dhunshme nga strukturat kriminale serbe!

vovalbania October 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti: Ka rrezik të përsëritjes se sulmeve të dhunshme nga strukturat kriminale serbe!

Kryeministri Albin Kurti tha se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”. Duke folur gjatë një mbledhjeje të qeverisë në Prishtinë, Kurti u shpreh se qëllimi kryesor i tyre është “të fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”.

Për ta arritur këtë nuk do zgjedhin mjet.

Paralajmërimi i Kurtit erdhi rreth tre javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.

Serbia i hedh poshtë akuzat e Kosovës se qëndron pas sulmit që Prishtina e cilëson “përpjekje për të aneksuar veriun e Kosovës”. Përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiç që dha dorëheqje si nënkryetar i Listës Serbe, që mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Kurti kujtoi veprimet e Serbisë që pas sulmit shpalli një ditë zie dhe i lartësoi si heronj tre sulmuesit serbë e vrarë në Banjskë. Për të, këto janë nxitje për sulme të reja të mundshme në Kosovë.

Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë dhe në anën tjetër duke i intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me republikën tonë, vetëm sa i ka inkurajuar.

Serbëve të Kosovës iu bëri këtë thirrje:

Ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Ju ftoj të mbështeteni në Policinë e Kosovës dhe t’i raportoni sjelljet e dyshimta të individëve nëpër komunitetet e juaja.

Sulmi në Banjskë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian (BE).

Më 2 tetor, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se Brukseli është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur. Në bazë të saj, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë masa të mundshme kundër Serbisë. Masa ndaj Serbisë kërkoi edhe kryeministri Edi Rama.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50957 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE