Anketa ballkanike, Serbia dhe Shqipëria me nivelet më të larta të korrupsionit!

vovalbania November 16, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Anketa ballkanike, Serbia dhe Shqipëria me nivelet më të larta të korrupsionit!

Qytetarët e Serbisë dhe të Shqipërisë perceptojnë një nivel më të lartë korrupsioni në vendet e tyre, në krahasim me katër të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kështu njofton një Anketë e Këshillit të Bashkëpunimit të Rajonal, e realizuar verën e këtij viti, në kuadër të Barometrit të Sigurisë.

Një nga faktorët e ndërlikuar që ndikon në nivelet e pakënaqësisë me situatën e përgjithshme në ekonomi të rajonit, lidhet me nivelet e larta të korrupsionit të perceptuar. Shumica dërrmuese e të anketuarve (86%) besojnë se korrupsioni është disi ose shumë i përhapur, me Serbinë që renditet e para (90%) e ndjekur nga Shqipëria (87%).

I rëndësishëm mbetet fakti se në përgjithësi, një në dy të anketuar në rajon e sheh korrupsionin të rrënjosur thellë në ekonomi (duke raportuar se fenomeni është shumë i përhapur).

Analistët e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal raportojnë se përgjigjet ndaj pyetjeve rreth korrupsionit japin një pamje pesimiste se korrupsioni është i përhapur. Të anketuarit kanë pranuar se praktikat korruptive, të vogla dhe të mëdha, janë një pjesë normale e jetës në ekonomitë e rajonit e se reagimi ndaj korrupsionit është joefikas dhe i pamjaftueshëm.

Besimi te korrupsioni është aq i fortë, pasi nxit perceptimet se shpesh është mënyra e vetme për të marrë shërbime publike. Aftësia e sistemeve demokratike për t’i bërë ballë destabilitetit, në një masë të madhe varet nga mungesa e korrupsionit dhe nepotizmi në sektorin publik. Kapja e shtetit është një pengesë absolute për zhvillimin demokratik, thuhet në analizën e rezultateve të anketës.

Tani, korrupsioni në Ballkan, por sidomos në Shqipëri përkufizohet si korrupsion sistematik politik, në të cilin politikanët shfrytëzojnë kontrollin mbi një ekonomi dhe zhvillojnë proceset e vendimmarrjes në avantazhin e tyre. Rrjedhimisht, edhe pse integrimi europian i Rajonit të Ballkanit Perëndimor ka vazhduar për më shumë se dy dekada, korrupsioni ende përshkon të gjitha sferat e shoqëritë e rajonit.

Në Strategjinë e Zgjerimit, Komisioni Europian pranoi mungesën e progresit mes ekonomive aktuale kandidate për në BE, duke nënvizuar problemin ekzistues të kapjes së shtetit në të gjitha nivelet e qeverisë e të administratës.

Në mënyrë shqetësuese, përparimi kundër korrupsionit i arritur në Ballkanin Perëndimor mes viteve 2000- 2010, tani është shuar dhe entuziazmi në shoqëri ka rënë.

Raportet e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2022, për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, vunë në dukje disa mangësi të reja kur është fjala për luftën kundër korrupsionit. Sipas raporteve, të gjitha ekonomitë në rajon vuajnë nga korrupsioni i nivelit të lartë, ku problemi kryesor është numri i ulët i dënimeve./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE