Asociacioni, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen në Bruksel!

vovalbania November 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Asociacioni, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen në Bruksel!

Në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut. Fillimisht, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç do të kenë takime të ndara me Mirosllav Lajçakun. Nëse ka vullnet nga palët, mund të ketë edhe një takim mes të treve. Në fokus, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës. BE-ja e konsideron “plan modern europian” dhe kërkon që palët ta pranojnë.

Ndonëse përmbajtja e dokumentit vazhdon të mos prezantohet publikisht, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë si “propozimin më të mirë” dhe si “kompromis, të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë, për të lëvizur përpara”.

Komisioni Europian i ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie në zbatimin e detyrimeve që dalin prej marrëveshjeve paraprake. Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Në këtë raport, Komisioni Europian bën ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i marrin më me përgjegjësi detyrimet nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve europiane.

Në takimet e fundit që liderët e Kosovës e të Serbisë patën me të BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, më 26 tetor, “shprehën gatishmëri që të pranojnë propozimin, si bazë të mirë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatimin e Marrëveshjes për normalizim. Kurti theksoi se kërkoi ta nënshkruante dokumentin, se siç tha “vetëm firmosja nënkupton pranim e garanton zbatim”.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë. Në BE besojnë se takimet e sotme do të hapin rrugën për një dinamikë të re në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

Marrëveshja për normalizim e që përbëhet nga 11 nene, mes të tjerave përfshin edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë e po ashtu njohje reciproke të simboleve shtetërore, ndërsa nga Prishtina e Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme në kuadër të dialogut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49611 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE