Brukseli: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, nuk shkel ligjin e BE-së!

vovalbania November 16, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Brukseli: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, nuk shkel ligjin e BE-së!

Marrëveshja që lejon Italinë të ngrejë qendra pritëse në Shqipëri për mijëra emigrantë që vijnë përmes detit, nuk shkel ligjin e Bashkimit Europian që zbatohet në këtë rast. Kështu u shpreh zyrtarja më e lartë e Unionit për Emigracionin, Ylva Johansson.

Akordi i njoftuar javën e kaluar është shoqëruar me kritika nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe ka nxitur krahasime me planet e qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, plan të cilin Gjykata e Lartë e Britanisë e shpalli të paligjshëm.

Në Britaninë e Madhe, mori goditje të fortë politika kyçe e emigracionit e kryeministrit Rishi Sunak. Kjo pasi gjykata më e lartë e Mbretërisë së Bashkuar refuzoi planet e qeverisë për të dëbuar në Ruanda personat që kërkojnë azil e presin një përgjigje.

Pesë gjyqtarë të lartë, dje mbështetën një vendim të Gjykatës së Apelit e që zbuloi se ekzistonte një rrezik real që për refugjatët e dëbuar,  kërkesat e azilit të vlerësoheshin në mënyrë të gabuar gjatë kohës së qëndrimit në vendin e Afrikës Lindore. Po ashtu, mund të rrezikojnë kthimin në vendet e tyre të origjinës për t’u përballur me persekutimin.

Eurokomisionerja për Emigracionin në Bashkimin Europian, Johansson, foli në një konferencë për shtypin, në Bruksel:

Sipas një vlerësimi paraprak të ekipit tonë ligjor, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë nuk shkel ligjin e Bashkimit Europian, nuk është jashtë kuadrit ligjor të BE-së!

Deklaratat e zyrtares lanë të kuptohet se marrëveshja nuk mund të ankimohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Siç dihet, Italia planifikon që të ngrejë dy qendra pritëse në Shqipëri, pranverën e ardhshme, një për verifikimin e të dhënave të emigrantëve dhe tjetra për t’i strehuar ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil në Itali.

Qendrat do të veprojnë sipas juridiksionit italian, me personel italian, por në territor shqiptar. Mbetet e paqartë mënyra si do të zbatohet marrëveshja, pasi kjo është e para e këtij lloji.

Komisionerja Johansson tha:

Ligji i Bashkimit Europian nuk është i zbatueshëm jashtë territorit të Bashkimit Europian, por ligji italian, po!

Johansson nuk qartësoi se si përputhet kjo me detyrimet e Italisë si një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Ndërkaq, marrëveshja me Italinë për emigrantët e paligjshëm është pranë procedurave të ratifikimit në Kuvendin e Shqipërisë. Në mbledhjen e një dite më parë, qeveria shqiptare miratoi projektligjin që kërkon ratifikimin. Me dorëzimin në Parlament fillojnë edhe diskutimet në komisionet përkatëse, deri në votimin në seancë plenare. Që marrëveshja të ratifikohet, minimalisht duhen votat e 71 deputetëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49738 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE