Shefi i NATO-s, Stoltenberg në Sarajevë: Të shqetësuar nga ndikimi rus!

vovalbania November 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shefi i NATO-s, Stoltenberg në Sarajevë: Të shqetësuar nga ndikimi rus!

Nga Bosnja, vend me të cilin nisi turin rajonal, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Aleanca Veri-atlantike ndihet e shqetësuar nga retorika e ndarjes e ndikimi rus në rajon. Para se pasdite të udhëtojë drejt Kosovës, Stoltenberg deklaroi:

Kërcënohet minimi i stabilitetit dhe dobësimi i reformave. Të gjithë liderët duhet të punojnë për të ecur përpara. Për ne, është tejet me rëndësi dhe jemi të përkushtuar për sigurinë e stabilitetin e këtij rajoni dhe vendit tuaj, i cili ka shumë rëndësi për Ballkanin Perëndimor. Ne po thellojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin tonë praktik. Aleatët e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.

Stoltenberg bisedoi edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Borjana Krishto, e cila tha se Bosnja është pjesë e Planit të Veprimit të Anëtarësimit, që sipas saj tregon se ka vendim politik nga NATO se vendi mund të bëhet anëtar i Aleancës.

Ne duhet të arrijmë një konsensus politik dhe përmes dialogut të vijmë deri te pozicionet që janë shumë të rëndësishme për Bosnjën kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me NATO-n.

Pas takimit me Stoltenbergun, Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjës, Christian Schmidt, deklaroi se “është i nevojshëm ndërtimi i besimit në sundimin e ligjit në Bosnjë. Kjo është në mesin e shumë gjërave, përgjegjësi e politikanëve vendorë”.

Po punojmë rreth kësaj dhe kemi nevojë për mbështetjen e BE-së dhe NATO-s.

Stoltenbergu theksoi rëndësinë e Përfaqësuesit të Lartë për proceset e pajtimit në Bosnjë, duke shtuar se “çdo tentativë për ta minuar pozicionin e tij do ta kthejë pas Bosnjën”.

Stoltenberg mbërriti në Bosnjë dje vonë dhe darkoi me anëtarët e Presidencës. Denis Beqiroviç, anëtar i Presidencës së Bosnjes njoftoi në Facebook se “shefi i NATO-s i theksoi se Aleanca mbetet garantuese e sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës”.

Ai tha se NATO-ja nuk e miraton një retorikë që nxit ndarje dhe rrezikon funksionimin e institucioneve të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Po ashtu, nënvizoi se rrugët e Bosnjës drejt Europës dhe NATO-s janë të qëndrueshme e se NATO do t’i mbështesë proceset e reformave, që Bosnjën e çojnë më pranë NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Më parë, Stoltenberg kishte deklaruar se me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, Bosnja i përket vendeve që meritojnë një vëmendje të veçantë nga NATO.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE