Apeli lë në fuqi vendimin për kufizimin e komenteve të Donald Trump-it për çështjen civile në gjykatën e Nju Jorkut!

vovalbania December 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Apeli lë në fuqi vendimin për kufizimin e komenteve të Donald Trump-it për çështjen civile në gjykatën e Nju Jorkut!

Një gjykatë Apeli në shtetin e Nju Jorkut la në fuqi një urdhër që e ndalon ish-presidentin Donald Trump dhe avokatët e tij që të bëjnë deklarata publike për punonjësit e gjykatës në një çështje civile ku ai akuzohet për mashtrime financiare.

Më 3 tetor, gjykatësi Arthur Engoron vendosi kufizimin e deklaratave publike nga ish-presidenti pasi  Trump akuzoi një pjesëtar të ekipit të gjykatësit Engoron për njëanshmëri politike.  Engoron tha se akuzat në rrjetin social nxitën qindra kërcënime ndaj gjykatës nga mbështetësit e Trump-it. Më 16 nëntor, një gjyqtar i Apelit e pezulloi përkohësisht urdhrin.

Donald Trump, kandidati kryesor republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, akuzohet për fryrjen e vlerës së pasurive të tij me miliarda dollarë, për të siguruar kredi të leverdishme bankare. Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut ngriti padi ndaj ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë për mashtrime financiare.

Donald Trump i hodhi poshtë akuzat ndërsa akuzoi për njëanshmëri politike Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, e zgjedhur në post si kandidate demokrate. Urdhri për kufizimin e deklaratave publike u pezullua përkohësisht ndërsa avokatët e Trump-it e apeluan vendimin me argumentet se i shkelte të drejtën e shprehjes që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.

Gjykatësi Engoron deklaroi se gjykata mori qindra telefonata e letra kërcënuese pas akuzave të Trump-it në rrjetet sociale. Ai e gjobiti Trump-in me 15 mijë dollarë për dy shkelje të vendimit në kufizimin e komenteve dhe e paralajmëroi se të tjera shkelje do të rezultonin në dënime më të rrepta, përfshirë burgimin. Vendimi për kufizimin e komenteve ka të bëjë vetëm me ekipin e gjykatësit Engoron.

Ndërkohë, Trump përballet me një urdhër të ngjashëm për kufizimin e komenteve për një tjetër çështje të ngritur ndaj tij, lidhur me akuzat për përpjekje për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Kryeprokurorja e Nju Jorkut, James kërkon një gjobë prej 250 milion dollarësh dhe që Trump-it t’i ndalohet veprimtaria në biznesin e pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Donald Trump përballet me katër padi federale e shtetërore, përfshirë dy çështje ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai ka thënë se është i pafajshëm në të gjitha çështjet.

Asnjëra nga çështjet nuk ia ka dëmtuar epërsinë në garën për të marrë emërimin e Partisë Republikane, për të sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50256 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE