Samiti i BE-së në Bruksel, priten përplasje me Orbanin për Ukrainën!

vovalbania December 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Samiti i BE-së në Bruksel, priten përplasje me Orbanin për Ukrainën!

Një samit i rëndësishëm i Bashkimit Europian në Bruksel, sot pritet të dominohet nga një përplasje mes udhëheqësve të BE-së dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Kjo për shkak të kundërshtimit të hungarezëve për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën e miratimin e një pakete ndihmash me vlerë miliarda dollarë për Kievin.

Samiti dyditor zhvillohet vetëm pak ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk arriti t’i bindte ligjvënësit republikanë amerikanë për të zhbllokuar një paketë vendimtare ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, me vlerë 60 miliardë dollarë e që Kievit i nevojitet në betejën me rusët.

Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen; presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, planifikuan takimin me Orbanin para samitit.

Orban, i cili ka raporte të ngrohta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kundërshton një ndihmë financiare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën dhe është kundër nisjes së negociatave për anëtarësim. Qershorin e kaluar, Ukraina siguroi statustin e vendit kandidat, bashkë me Moldavinë.

Ukraina mbështetet në fondet e BE-së për të ndihmuar ekonominë e saj, që të mbijetojë gjatë vitit të ardhshëm. Kundërshtimi i Orbanit duket se do të përdoret si levë në përplasjen e tij me BE-në, e cila ka ngrirë miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të një mosmarrëveshjeje për sundimin e ligjit në Hungari.

Një ditë më parë, Komisioni Europian ra dakord të zhbllokonte 10 miliardë euro për Hungarinë, në atë që u duk si një gjest mirëbesimi ndaj Budapestit, para samitit.

Zelensky, i cili javën e kaluar zhvilloi një takim të shkurtër me Orbanin, në Argjentinë, tha se Hungaria “nuk ka arsye” të kundërshtojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim mes Kievit e Bllokut me 27 vende.

Javën e kaluar, Orban i shkroi një letër kryetarit të Këshillit Europian, Charles Michel, përmes së cilës i kërkoi që anëtarësimi i Ukrainës në BE të hiqet nga axhenda e samitit.

Por, letra nuk ka sinjalizuar nëse Hungaria do të përdorë veto ndaj hapave për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën. Vendimet për zgjerimin e bllokut dhe për një rishikim të buxhetit afatgjatë të tij, që përfshin 50 miliardë euro ndihmë për Kievin, duhet të miratohen unanimisht nga të 27 vendet anëtare të Unionit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50989 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE