Putin do të garojë në presidencialet e marsit në Rusi, por si i pavarur!

vovalbania December 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Putin do të garojë në presidencialet e marsit në Rusi, por si i pavarur!

Vladimir Putin do të garojë për një tjetër mandat presidencial, por si kandidat i pavarur me mbështetje të madhe dhe jo i lidhur me partinë e tij Rusia e Bashkuar. Pikërisht për këtë fakt, njeriu në pushtet prej mbi dy dekadash, po tërheq vëmendjen. Mbi 700 politikanë e figura kryesore të botës së sportit dhe kulturës u mblodhën në Moskë e njëzëri përkrahën kandidaturën e Putinit si i pavarur.

Andrei Turchak, zyrtar i lartë i Rusisë së Bashkuar rikonfirmoi se “Putin nuk do të garojë si kandidat i partisë në pushtet, edhe pse gëzon mbështetje të plotë, por si i pavarur”. Ndërkaq, pritet që mbi 3.5 milion anëtarë të partisë dhe mbështetës të marrin pjesë aktivisht në fushatën zgjedhore për presidencialet e 17 marsit 2024.

Ai pritet të fitojë lehtë në këtë proces zgjedhor. Për Putinin, 71-vjeçar, zgjedhjet janë formalitet, me mbështetje të mediave shtetërore e pothuajse asnjë zë kundërshtar, si dhe burgosje të figurave opozitare.

Mbështetësit e Putinit besojnë se ai e ka rikthyer rendin, krenarinë kombëtare dhe një pjesë të ndikimit të humbur gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në fillim të viteve ’90. Madje, disa e justifikojnë edhe luftën e Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit të kaluar, të cilën shefi i Kremlinit e përshkruan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50511 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE