Hetimet e SPAK-ut, arrest me burg tre shtetasve, një i arrestuar në Holandë!

vovalbania December 22, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hetimet e SPAK-ut, arrest me burg tre shtetasve, një i arrestuar në Holandë!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të regjistruar në bazë të informacioneve të përcjella nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës.

Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit R.R., D.GJ., A. R. në bashkëpunim me shtetasin D.D. (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xh. P., ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës.

Në 16 dhjetor të këtij viti, Prokuroria e Posaçme kërkoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim R.R., D.GJ., D.D. (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe A.R.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.138 me datë 20.12.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit  shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj të hetuarve R.R, D.GJ, D.D. dhe A.R, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xh.P., kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi sot masat e sigurimit personal “arrest në burg”, për të hetuarit R.R., A.R., dhe D.GJ.

Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim D.GJ. Arrestimi i D.GJ. u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.

Falënderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit të gjykatës. Falënderim të veçantë për agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Holandës për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48852 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE