Pas ndërmjetësimit të Katarit e Francës, Izraeli lejon dërgim të ilaçeve në Gaza!

vovalbania January 17, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pas ndërmjetësimit të Katarit e Francës, Izraeli lejon dërgim të ilaçeve në Gaza!

Një dërgesë me ilaçe për dhjetëra pengje që po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian është nisur për në këtë territor, pasi Franca dhe Katari ndërmjetësuan marrëveshjen e parë mes Izraelit dhe grupit radikal që nga armëpushimi njëjavor, i cili përfundoi në nëntor.

Dërgesa me ilaçe po dërgohet përmes Egjiptit dhe do t’i dorëzohet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq e që më pas do t’ia dorëzojë Hamasit. Katari tha se marrëveshja përfshin edhe dërgimin e ndihmës shtesë mjekësore e humanitare për palestinezët në enklavën e rrethuar.

Marrëveshja vjen pas më shumë se 100 ditësh nga nisja e luftës e që ka nxitur tensione në mbarë Lindjen e Mesme. Ditët e fundit ka pasur sulme dhe kundërsulme nga veriu i Irakut për në Detin e Kuq e nga jugu i Libanit për në Pakistan.

Në Gaza, radikalët palestinezë ende po rezistojnë në territorin bregdetar që po përballet me një nga fushatat më vdekjeprurëse ushtarake në historinë moderne. Rreth 85% e popullsisë së territorit prej 2.3 milion banorësh janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe sipas Kombeve të Bashkuara, çereku i popullsisë është duke u përballur me uri.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe aftësitë e tij qeverisëse për t’u siguruar që grupi të mos e përsërisë më sulmin e 7 tetorit që nxiti luftën. Luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona, shumica civilë dhe duke marrë afro 250 pengje.

Po ashtu, Izraeli është zotuar se do të kthejë në shtëpi mbi 100 pengje që ende janë në Gaza pasi shumica e tyre u liruan në nëntor, gjatë këmbimit me palestinezët e burgosur në Izrael. Izraeli beson se vetëm presioni ushtarak do të sjellë lirimin e më shumë pengjeve, por teksa lufta vazhdon, pengjet janë në rrezik që të vriten nga sulmet izraelite apo gjatë operacioneve të shpëtimit.

Hamasi ka theksuar se nuk do të lirojë pengje derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm, kërkesë që është refuzuar nga Izraeli dhe aleatja e tij kryesore, Amerika.

Që kur ka nisur lufta, gjatë ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit në Gaza, raportohet se janë vrarë 24.285 palestinezë, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Ky dikaster nuk bën dallimin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy të tretat e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Mbi 60 mijë persona janë plagosur dhe më pak se gjysma e spitaleve në Gaza janë pjesërisht funksionalë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE