Në Kosovë, pagesat do të kryhen vetëm në euro!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Në Kosovë, pagesat do të kryhen vetëm në euro!

Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore mbi operacionet për paratë e gatshme, ku thuhet se “euro është monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në vend”. Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në të gjitha zonat me shumicë serbe të Kosovës, qytetarët atje përdorin dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen pensionet, sipas sistemit serb, si dhe bonuset për fëmijët e ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërsa në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Në rregulloren e BQK-së, theksohet:

Valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur në formë fizike apo në llogaritë bankare dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare. Po ashtu, këto valuta mund të përdoren për këmbim. Por, këmbimi mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga BQK-ja për këtë shërbim.

Deri tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila vepron në zonat me shumicë serbe në Kosovë. Llogari në dinarë kanë edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postes) dhe “NLB Komercijalna banka”.

Në Kosovë, dinarët shkojnë nga territori serb përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviç, komunë në veri të Kosovës me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit “Henderson”.

Në rregulloren e BQK-së thuhet se “importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj”.

Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta joeuro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili ka paralajmëruar se “Kosova do t’i ndalë transaksionet me dinarë”. Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak i tha televizionit serb Pink se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe për këtë çështje njoftoi Brukselin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48941 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE