Raporti vjetor i NATO-s: Prania e aleancës në Kosovë, kyçe për Ballkanin!

vovalbania March 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Raporti vjetor i NATO-s: Prania e aleancës në Kosovë, kyçe për Ballkanin!

Prania ushtarake e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo thuhet në raportin vjetor të NATO-s e që sot e paraqet në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

Në dokument theksohet se për vite të tëra, misioni paqeruajtës KFOR ka ruajtur një ambient të sigurt dhe lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare si Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe të tjerat.

Në vitin 2023, KFOR-i luajti rol kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri. Pas shpërthimit të dhunës në muajt maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1 mijë forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një dekadë. Kjo i ka mundësuar KFOR-it që të trefishojë numrin e patrullimeve e të katërfishojë praninë në veri të Kosovës.

Në veri të Kosovës, tensionet filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale. Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.

Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kohë kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit dhe ku mbetën të vrarë një polic e tre sulmues.

NATO e shtoi numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës KFOR, në Kosovë. Tani, misioni i KFOR-it ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë forcën rezervë.

Në raportin vjetor, Stoltenberg përmend dhe ndihmën që NATO i ka ofruar organizatave të sigurisë në Kosovë për ndërtimin e kapaciteteve të tyre, sidomos në fushën e logjistikës, për mbështetje mjekësore, prokurim dhe menaxhim të burimeve njerëzore.

Edhe në këtë raport shprehet mbështetja e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO mbetet e përkushtuar në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian mes Beogradit dhe Prishtinës. Dialogu është platforma kryesore për arritjen e zgjidhjes, e cila respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme, që është në dobi të sigurisë së Kosovës e stabilitetit të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë dokument të hollësishëm, përmenden aktivitetet kryesore të NATO-s në vitin e fundit, nga angazhimi për ndihmë Ukrainës për t’u përballur me agresionin e Rusisë, rritja e pranisë në krahun lindor për të siguruar mbrojtjen e territorit të të gjitha vendeve anëtare, rritja e investimeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të aleancës dhe deri te angazhimi në misione, siç është ai i KFOR-it në Kosovë.

NATO prezanton rregullisht raport vjetor për aktivitetet e veta. Raporti që prezantohet sot në Bruksel konsiderohet i fundit i paraqitur nga Stoltenberg. Pritet që së shpejti, që para samitit në Uashington të korrikut, aleatët të vendosin për emërimin e pasardhësit të Stoltenbergut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48717 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE