Primaret e PD-së për Tiranën, balotazh për Belind Këlliçin e Ilir Alimehmetin!
Primaret e Partisë Demokratike për kandidatin e Bashkisë Tiranë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti shkojnë në balotazh të dielën e ardhshme, më 11 dhjetor. Nga numërimi, Këlliçi ka arritur të marrë 4 mijë e 40 vota, ndërsa Alimehmeti 2 mijë e 196. I treti më i votuar ishte Gerti Bogdani, i cili siguroi 1 mijë e 819 vota. Për Tiranën, numërimi i votave përfundoi rreth orës 01:30 pas mesnate.
Një ditë më parë, 8 mijë e 470 anëtarë dhe simpatizantë të PD-së iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kandidatin e preferuar, që do të garojë më 14 maj për bashkinë e kryeqytetit.
Rezultatet e primareve për Tiranën:
Adriana Kalaja – 128 vota
Belind Këlliçi – 4040 vota
Enkelejda Fejzo – 66 vota
Fatmir Merkoçi – 35 vota
Gerti Bogdani – 1819 vota
Ilir Alimehmeti – 2196 vota
Julian Deda – 157 vota
Të pavlefshme – 29 vota
Votues gjithsej – 8470
Këto primare i dhanë të drejtën e votës anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, për të zgjedhur kandidatët që duan. Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 të mëngjesit dhe u mbyllën më 18:00, por në degët ku ende kishte persona të interesuar për të votuar, procesi zgjati përtej orarit zyrtar.
Sipas të dhënave zyrtare, në të gjithë vendin, numri i pjesëmarrësve, anëtarëve dhe simpatizantëve të PD në këto primare kapërceu shifrën 60 mijë. Krahas Tiranës, balotazh për primaret do të ketë edhe në Dibër, Fier, Librazhd, Sarandë, Mat e Mirditë. Të dielën e ardhshme do të mbahet raundi i dytë i Primareve në këto bashki.