Vazhdojnë sulmet në veri të Kosovës, shpërthejnë dy bomba në Mitrovicën e Veriut!

vovalbania December 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vazhdojnë sulmet në veri të Kosovës, shpërthejnë dy bomba në Mitrovicën e Veriut!

Në Mitrovicën e Veriut u shënuan dy shpërthime me bomba, fatmirësisht pa të lënduar. Për Radion Evropa e Lirë, kreu i policisë rajonale, Besim Hoti deklaroi:

Kanë ndodhur dy shpërthime me shok bomba. Nuk ka dëme e as të lënduar. Një është hedhur në një udhëkryq në Lagjen e Boshnjakëve dhe një në Kodrën e Minatorëve. Ka shtëpi të banuara në afërsi, mirëpo nuk ka të lënduar. Këto janë shok bomba, nuk kanë aftësi shkatërruese, por kanë një efekt jashtëzakonisht të madh të zërit.

Në Lagjen e Boshnjakëve jetojnë shqiptarë, serbë e boshnjakë. Ndërkohë, këto shpërthime vijnë pasi Policia e Kosovës tha se “duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav, grupe e persona të maskuar, sulmuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok”. Kjo ndodhi teksa policia shoqëronte zyrtarë të KQZ-së që po inspektonin zyrat zgjedhore.

Prishtina akuzon “bandat kriminale që mbështeten nga Serbia”. Sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, këto janë “sulme terroriste”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën përgatitjet për zgjedhjet e 18 dhjetorit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, komuna me shumicë serbe e që mbetën pa kryetarë prej fillimit të muajit të kaluar.

Ata dhanë dorëheqje për të kundërshtuar një vendim të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin në RKS të makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. KQZ-ja ka kërkuar që të ofrohet siguri për zyrtarët zgjedhorë. Ndërkaq, Presidenca e Kosovës tha se pasi të kenë marrë vlerësimet e Policisë së Kosovës do të vendosin për shtyrje apo mbajtje të votimeve.

Një ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Hovenier vuri në dukje se “siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë”. Po për situatën e sigurisë, shqetësimin nuk e fshehën as EULEX-i dhe ambasada gjermane në Prishtinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48765 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE