Reshjet në vend, deri tani nuk ka përmbytje/Piku i prurjeve pritet të premten!

vovalbania January 18, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Reshjet në vend, deri tani nuk ka përmbytje/Piku i prurjeve pritet të premten!

Edhe sot, vendi ynë do të mbetet nën ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parshikohet kryesisht i vranët e me intervale të shkurtëra me diell. Gjatë ditës, reshjet e shiut do të jenë të herëpas’hershme me intensitet mesatar, ndërsa në veriperëndim dhe perëndim, me intensitet deri të lartë. Në zonën e Alpeve ka reshje të dendura dëbore. Përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore, fryn erë intensive, me shpejtësi deri në 18m/s. Valëzimi në det i forcës nga 4-6 ballë.

Për shkak të motit të keq, në Portin e Durrësit tragetet anuluan të gjitha lundrimet e planifikuara për orën 08:00 të mëngjesit të sotëm. Nisja ende është e pamundur pasi ka stuhi detare. Pritet një përpjekje tjetër, për t’u nisur vetëm njëri nga dy tragetet. Më herët, një mjeti lundrues arriti të largohej nga Porti i Durrësit drejt Barit rreth orës 03:00 të mëngjesit, i ndihmuar nga dy rimorkiatorë.

Si pasojë e përkeqësimit të motit që ka sjellë erëra të forta, gjatë natës pati mungesë të furnizimit me energji elektrike në disa zona të Vlorës. Eshtë fjala për Dukatin, Llogaranë, Radhimën, pjesërisht “Ujin e Ftohtë”, Peshkëpinë, Vllahinë, Kallaratin, Bolenë, Vranishtin, Mesaplikun, Tërbaçin, Bratajn, Velçin, Bashajn e Sevasterin. Po punohet që të rikthehet energjia elektrike në këto zona.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se reshjet me intensitet të lartë të rëna gjatë natës, fatmirësisht nuk kanë shkaktuar situata përmbytjesh në asnjë zonë të territorit të vendit, falë edhe masave të marra në kohë.

Në një postim në rrjetet sociale, shprehet se në kushtet e motit të paqëndrueshëm, bashkitë Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Durrës e Elbasan do të jenë në monitorim të prurjeve të lumenjve në orët në vijim, pasi sipas parashikimeve piku i prurjeve do të arrihet në datën 20.

Nën monitorim është situata edhe në zonat malore, ku ka patur reshje bore. Po punohet në disa akse nga punonjësit e ARRSH për pastrimin e rrugëve nga inertet dhe nga forcat e OSHEE për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative.

Në nivel kombëtar, Forcat e Armatosura kanë të angazhuara 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor, Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.

U bëjmë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore për ndihmë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48803 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE