Rekomandohet zbatimi i modelit maqedonas për grumbullimin e grurit nga shteti!

vovalbania August 13, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rekomandohet zbatimi i modelit maqedonas për grumbullimin e grurit nga shteti!

Ekspertët rekomandojnë zbatimin e modelit të Maqedonisë së Veriut, gruri të grumbullohet nga shteti me qëllim stabilizimin e çmimit. Ish-kryetari i Sindikatës së Fermerëve, kontabilist i shumë fermerëve në zonën e Lushnjës, Eduart Sharka:

Me zhgënjimin dhe dëmin që këtë vit pësuan fermerët kultivues të grurit, natyrisht që vitin tjetër mbjelljet do të jenë të përgjysmuara.

Për të shmangur humbjet e mëtejshme, si zgjidhje të problematikës së tregjeve të produkteve bujqësore, Sharka sheh projektligjin që hartoi Sindikata e Fermerëve me ndihmën e IDN-së, Komitetit të Helsinkit e të deputetit të Partisë Agrare, Agron Duka, por që nuk u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë.

Zgjidhjen për situatën e bujqësisë në vend, e morëm nga ligji “Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural” në Maqedoninë e Veriut, por votuan vetëm opozita dhe deputeti Erjon Braçe nga pozita. Në këtë situatë, kur të përsëritet kriza e 2021-shit, me ministren e radhës do të shkojmë t’i lutemi Vuçiçit të lejojë eksportin e grurit serb.

Ligji “Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural” në Maqedoninë e Veriut parashikon masa ndërhyrëse të posaçme për stabilizimin e tregjeve të produkteve bujqësore, të cilat mund të zbatohen kur ndodh çrregullimi midis ofertës e kërkesës së tregut. Këto masa përfshijnë edhe grumbullimin e grurit nga shteti, duke përcaktuar çmimet intervenuese të tij.

Zbatimin e grumbullimit intervenues të grurit e bën ministria, nëpërmjet Agjencisë për Përkrahje Financiare të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural e Agjencisë për Rezerva të Mallrave.

Ligji parashikon se çmimet e grumbullimit intervenues (masë për stabilizimin e tregut) miratohen nga qeveria me propozim të ministrisë, bazuar te shpenzimet mesatare për 1 kg grurë. Ndërsa çmimi i tregut është çmim mesatar mujor i grurit në tregjet e Maqedonisë së Veriut, i cili rregullohet në përputhje me sistemin informativ të tregut bujqësor.

Më tej, në ligj thuhet se nëse çmimi i tregut të grurit është më i lartë se shpenzimet mesatare prodhuese, nuk bëhet grumbullimi intervenues i tij. Shpenzimet mesatare prodhuese përcaktohen nga baza e të dhënave nga rrjeti i kontabilitetit të ekonomive bujqësore.

Ligji përfshin edhe programe për dallimin e çmimit intervenues nga çmimi i tregut për grurin e grumbulluar.

Modeli i Maqedonisë së Veriut parashikohej të gjente zbatim në Shqipëri nëpërmjet projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9817, datë 22.10.2007 “Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural””, nismë ligjore e deputetit Agron Duka e iniciuar nga Sindikata e Fermerëve.

Drafti propozonte që në varësi të ministrit përgjegjës për Bujqësinë të krijohet një agjenci e cila objekt kryesor do të ketë aktivitetin, studimin e tregut bujqësor, orientimin e fermerëve dhe publikimin e materialeve informuese për ta.

Në projektligjin e propozuar theksohej se do të ishte kompetencë e agjencisë së re, edhe blerja e produkteve bujqësore që kanë krijuar stoqe ose si veprimtari për stabilizim të tregut.

Ndër të tjera, agjencia do të kishte detyrë të analizonte volumin e prodhimit, importet, eksportet dhe çmimet, në mënyrë sistematike e historike,

Veprimtaria e agjencisë synon orientimin e fermerëve për mbjelljet e kulturave bujqësore. Në kohë reale, agjencia publikon volumin e eksporteve, vendet ku eksportohet dhe çmimet orientuese të tregut vendas e të rajonit me volumin më të madh tregtar ku eksportohen produktet bujqësore dhe vendet me potencial eksportues./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49668 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE