“Il Quotidiano d’Italia”: Shqipëria, një vend në zhvillim!

vovalbania September 07, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
“Il Quotidiano d’Italia”: Shqipëria, një vend në zhvillim!

Shqipëria është një vend në zhvillim që po përpiqet të integrohet në Bashkimin Europian dhe të përmirësojë kushtet e saj ekonomike e sociale, sipas “Il Quotidiano d’Italia”-s. Në një artikull përmblidhen sfidat dhe mundësitë kryesore me të cilat duhet të përballet vendi ynë për të arritur qëllimet.

Historia e Shqipërisë

Shqipëria pësoi një transformim të thellë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, i cili e kishte izoluar nga pjesa tjetër e botës dhe e kishte bërë atë një nga vendet më të varfëra në Europë.

Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 1992 nisi një program ambicioz reformash për liberalizimin e ekonomisë, privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, krijimin e një kuadri ligjor për sektorin privat dhe stabilizimin e monedhës kombëtare, lekut.

Këto reforma çuan në rritje të PBB-së prej rreth 11% më 1993, 8% më 1994 dhe më shumë se 8% më 1995.

Megjithatë, procesi i tranzicionit është karakterizuar edhe nga probleme serioze si korrupsioni, krimi, varfëria, papunësia, mungesa e infrastrukturës dhe e shërbimeve publike.

Por, cilësia e dobët e arsimit dhe shëndetësisë, kriza e titujve të pronësisë dhe shembja e të ashtuquajturave “skema piramidale” më 1997, shkaktoi një kryengritje popullore e ndërhyrjen e një force shumëkombëshe të udhëhequr nga Italia për të rivendosur rendin në vend.

Qasja ndaj Bashkimit Europian

Shqipëria ka nisur procesin e integrimit në Bashkimin Europian që nga viti 1992 kur nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Komunitetin Europian.

Në vitin 2006, firmosi Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në, e cila parashikon liberalizimin gradual të tregtisë dhe rritjen e bashkëpunimit politik, ekonomik e gjyqësor.

Në vitin 2009, paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE, e cila u prit pozitivisht nga Komisioni Europian, në vitin 2010.

Në vitin 2014 mori statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa në vitin 2020 mori dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit.

Për të vazhduar procesin e integrimit, Shqipëria duhet të përmbushë të ashtuquajturat “kritere të Kopenhagës”, që kanë të bëjnë me stabilitetin e institucioneve demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale e aftësinë për të miratuar “acquis communautaire”, grupin e rregullave dhe politikave të BE-së.

Mundësitë dhe sfidat e ekonomisë shqiptare

Ekonomia shqiptare bazohet kryesisht në bujqësi, e cila kontribuon me 20% të PBB-së dhe punëson mbi 35% të fuqisë punëtore.

Sektori i bujqësisë ka përjetuar rritje vitet e fundit, falë diversifikimit të të korrave, rritjes së eksporteve në tregjet europiane dhe rritjes së turizmit rural.

Megjithatë, sektori i bujqësisë ende vuan nga një fragmentim i fortë i tokës, mungesa e titujve të qartë të pronësisë për rreth gjysmën e tokave bujqësore, pamjaftueshmëria e investimeve në infrastrukturë dhe inovacionit teknologjik.

Burime të tjera të ardhurash për ekonominë shqiptare janë dërgesat e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, që përfaqësojnë rreth 10% të PBB-së.

Sektori i shërbimeve, në veçanti turizmi është zhvilluar falë bukurive natyrore e kulturore të vendit dhe sektori industrial, i cili përfshin aktivitete si minierat, energjia, tekstili, druri, çimentoja e duhani.

Ndër sfidat kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare janë diversifikimi dhe konkurrueshmëria e produkteve, ulja e varësisë nga importet, krijimi i vendeve të punës e mundësive për të rinjtë, lufta kundër evazionit fiskal dhe punës informale, përmirësimi i cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike, mbrojtja e mjedisit e menaxhimi i burimeve natyrore.

Konkluzione

Shqipëria është një vend që ka bërë progres të rëndësishëm në tranzicionin e saj drejt një ekonomie tregu dhe integrimit në Bashkimin Europian.

Vendi ende përballet me sfida të mëdha për të konsoliduar stabilitetin e tij politik, social dhe ekonomik dhe për të shfrytëzuar plotësisht potencialin zhvillimor.

Italia, partnerja kryesore tregtare dhe investitorja më e madh e huaj në Shqipëri luan rol kyç në mbështetjen e vendit ballkanik, në rrugën e tij të zhvillimit e afrimit me BE-në.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49817 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE