Fëmija i abuzuar: “Largoja thikat, kisha frikë mos godiste mamin”!

vovalbania November 25, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Fëmija i abuzuar: “Largoja thikat, kisha frikë mos godiste mamin”!

Takimi i kësaj jave në podcastin e Anila Hoxhës “Fol” ka nisur me rrëfimin e një fëmije që për disa vite ka përjetuar dhunë në familje. Nga traumat e ngjarjeve që pa mes prindërve, me urdhër të gjykatës i mituri po trajtohet nga psikologët. Fjalët e tij janë dëshmi që provojnë se si dhuna lë pasoja të shumëfishta, jo vetëm ndaj viktimës por edhe ndaj fëmijëve të tyre apo kujtdo anëtari që është dëshmitar në atë shtëpi. Agjensia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës deklaron se për katër vitet e fundit 625 minorenë u dhunuan fizikisht nga njëri prej prindërve dhe 1217 të tjerë u mbështetën nga Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës mbas abuzimit psikologjik që përjetuan në familje. Për herë të parë ligji që duhet të parandalojë dhe reduktojë dhunën në familje në të gjitha format e saj hyri në fuqi në viti 2006 dhe prej atëherë 33 mijë e 628 gra kanë marrë urdhër mbrojtjeje. Policia vlerëson zyrtarisht se në masën 80 përqind të kësaj shifre të dhunuarat janë keqtrajtuar nga një burrë si bashkëshorte, ish-partnere apo bashkëjetuese.

Fëmija: Kisha frikë se mos godiste mamin ose mos i bënte ndonjë gjë mamit. Kur je fëmijë dhe shikon prindërit që zihen është një ndjenjë e keqe dhe është shumë ndryshe nga gjërat e tjera.

Anila Hoxha: Për çfarë ke më shumë frikë në ato momente?

Fëmija: Në ato momente kam shumë frikë sepse mund të bëjë ndonjë krim ose ndonjë gjë se mund të marrë ndonjë thikë dhe mund të plagosë mamin ose mund të godasë. Prej 3-4 vitesh që kam frikë për këtë. Isha me panik dhe kur dilja nga shtëpia thoja ishalla nuk i bën gjë mamit, kur hyja në shtëpi ishalla nuk shikoj ndonjë gjë që nuk pritet dhe gjëra të tilla.

Anila Hoxha: Çfarë bëje?

Fëmija: Në këto raste kur ziheshin mami me babin largoja thikat dhe gjërat që ishin të mprehta, gjërat që mund të bëjnë gjërat që nuk mund të priten.

Anila Hoxha: Kur hynte babi në shtëpi çfarë mendoje?

Fëmija: Kur hynte babi gjithmonë e shikoja nga sytë se mendoja se mund të ishte normal.

Anila Hoxha: Kur ishte normal ti lumturoshe?

Fëmija: Po ndihesha i qetë dhe nuk kisha panik.

Anila Hoxha: Si i shprehje ti ato momentet e dhunës? Pikturoje çfarë bëje, i tregoje shokëve apo nuk i thoje askujt?

Fëmija: Nuk i thoja askujt vetëm një shoku që e kam në klasë, e kam për besë, i kam treguar.

Anila Hoxha: E di se çfarë numri ka policia?

Fëmija: Po, ka 112, ose 129.

Anila Hoxha: I ke telefonuar ndonjëherë?

Fëmija: Po, vetëm kur babi bënte ndonjë gje shumë të madhe

Anila Hoxha: I kishe thënë ndonjëherë mësueses, që po unë kam parë që ka dhunë në shtëpinë time?

Fëmija: Në klasë të pestë po. Unë besoja se kur mund të vijë një ditë ndryshe dhe mund të ndryshojë gjithcka në jetën tonë.

Anila Hoxha: Kjo gjë nuk ndodhi?

Fëmija: Jo.

Anila Hoxha: Çfarë do bëhesh kur të rritesh?

Fëmija: Do bëhem polic ose gjykatës.

Anila Hoxha: Po pse polic ose gjykatës?

Fëmija: Sepse dua të mbaj drejtësinë në vendin ku do jem dhe të mos lë asnjë dhunë në familje apo ndonjë gjë tjetër.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48803 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE