2023 me të mirat e të këqijat e veta… Nata e fundit e vitit sjell në vëmendje ngjarjet më kulminante, për t’i lënë vendin 2024-ës!

vovalbania December 31, 2023 0 koment 21 Mund të lexoni në minuta.
2023 me të mirat e të këqijat e veta… Nata e fundit e vitit sjell në vëmendje ngjarjet më kulminante, për t’i lënë vendin 2024-ës!

Mirëmbrëma të gjithëve! Jemi të kënaqur të ndajmë me ju orët e fundit, të një viti të gjatë. Aq të gjatë, sa ndjesia personale është sikur kemi jetuar 2 të tilla brenda 1. Fiks si ofertat “rrencake” të marketingut. Por vërtet 2023 ka qenë vit i mbushur plot. Kjo është Nata e Fundit në TAR, “Last Night”, një traditë tashmë për të kujtuar bashkë se çfarë na ka shoqëruar në këtë vit. Jemi të bindur në rrafsh personal nëse gjithsecili do bëjë një analizë, mund të rezultojë një vit që ka qenë plot sukses, mund të ketë qenë plot deshtime (të paktën kush ka kaluar në këto ujëra të zërë mend për 2024), i mirë financiarisht dhe bravo ju qoftë, ose i dobët nga xhepat dhe pak shpresëdhënës se më mirë mund të bëhet. E dimë… që shumë do kthenin përgjigje kaq të ndryshme, sepse në perspektivë fundja nuk jemi të njëjtë. Ama, fatet, ngjarjet, çuditë, fenomenet dhe arritjet e kësaj Shqipërie dhe Botës, ato i kemi përjetuar të gjithë bashkë. Sepse datat në kalendarin e 2023 kanë çfarë na kujtojnë dhe këtë do ta bëjmë sonte. Dhe jemi të kënaqur që do shkojmë mes një trajektorie ngjarjesh që na kanë prekur, përfshirë, emocionuar, apo kanë ndodhur aty dhe asnjë nuk kanë ndikuar hiç, por veç kanë kaluar si ndodhi e historisë. Mirëseerdhët tek “Last Night”…

U munduam shumë të vendosim disa nënvizime tek ngjarjet tipike të këtij viti. Dhe nga ta nisnim, nga fenomeni BBVIP që këtë vit “çmendi” më shumë se kurrë Shqipërinë pas Luiz Ejllit, fenomen i pranuar me të dyja duart. Apo luftërat që pasi bota mbylli hesapet me pandeminë e Covidit, Ukraina dhe sëfundmi konflikti i Gazës në Lindjen e Mesme u bënë kryefjalë e lajmeve botërore për të gjithë ne. 2023 ishte targa definitive e Inteligjencës Artificiale për konsumin publik dhe po aq viti më i mirë për Kombëtaren dhe Armand Dukën. Çunat na çuan në Europian ndërsa presidenti i FSHF mori mbrapsht të gjithë lobimin personal për më lart se zyrat e Tiranës. Pra, zv-president i UEFA-s… Thjesht po mendoja se çfarë mund t’i urojmë Armand Dukës për 2024 sonte, veç shëndetit?

Por do përpiqemi t’i hyjmë ngjarjeve një e nga një, t’u japim pak dritë kujtesës sepse me 2023 që largohet, kujtimet mbeten. Po është e vërtetë që BBVIP do të nisë muajin e ardhshëm, por ajo që pamë në maj të këtij viti, ku Luiz Ejlli mori fitoren e BB, shumë çuditërisht apasionoi më shumë pas një djali që luajti fort për të arritur dashurinë, paratë dhe vëmendjen që ishte zvenitur. Luajti ai dhe “luajtën mendsh” për Mbretin, Luanin çfarëdo epitetesh i vunë fansat. Ky ishte viti i audiencave absolute, shesheve boshe për këtë super program televiziv dhe mbi të gjitha viralitetit në rrjetet sociale ku algoritmet e TikTok-ut nxirrnin çfarë bente Luizi, hallet e Opozitës sallatë në vend dhe tek sherret e lacave në TikTok për sa më shumë ‘gifte’.

Por ajo që të gjithë donin të dëgjonin në atë BB ishte fenomeni i tifozërive si kurrë më parë. Por nga ana tjetër, ky vend nuk la me pak hapësirë për kriminalitetin dhe ngjarjet e rënda. Në fund të marsit, pas mesnatës të datës 27, Top Channel u përball me një situatë të rëndë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të godinës së institucionit nga persona ende të paidentifikuar. Roja e sigurisë, Pal Kola 60 vjeç humbi jetën, në rrethana ende të paqarta publikisht. Policia e Shtetit ende sot do duhet të jetë duke hetuar, por ajo që më shumë tronditi opinionin ishte sulmi ndaj medias së lirë. Lajmi ishte pak të thuash tronditës. Por kolegët me solidaritet dhe kurajo, me kokën lart vazhduan misionin e tyre të përditshëm, informimin dhe argëtimin e publikut.

Dhe pasi që jemi tek ngjarjet që kanë tronditur, 2023 ka qenë definitivisht viti i SPAK-ut, ku i madh dhe i vogël, anakronizmin e Prokurorisë së Posaçme të mbikëqyrur nga amerikanët e kanë dëgjuar. Okej, po të pyesësh njerëzit në terma të përgjithshëm, SPAK-un mund ta ngatërrojnë lehtësisht edhe me shtetin, por që të fut në burg për zullumet që ke bërë në detyrën shtetërore ose ke përfituar nga ata që kanë pasur pushtet. Pse këtë vit SPAK-u pati shpërthimin e tij, pyetëm një ditë nëpër TCH Anila Hoxhën, e cila tha me dialektin e saj lab “o vëlla, po kur do shpërthente aman, se më mbajti”. Pra ishte koha dhe ky vit ishte i tillë, sepse të vendosur përpara Drejtësisë këtë vit pa nga ish ministra deri tek dhëndri i Sali Berishës. A do jetë viti 2024, kur ky i fundit do të përfundojë në arrest? Gjasat thotë që PO. Me shumë mundësi në shtëpi.

Këtë vit është pak po e sigurt që do kujtohemi për turizmin si kurrë më parë dhe Ksamilin si Maldivet e Mesdheut. Kur mediat e huaja treguan se thesari i fshehur në skaj të jugut ishte i lirë, reklama bëri të veten. Për qeverinë 7.2 milion turistë vizituan vendin, shifër e cila sa herë diskutohet gjithnjë ngjall debat nëse është reale apo e fryrë për PR. Megjithatë e fryrë ose jo, pak po e sigurt që vendi mori si kurrë më parë ekspozim dhe vëmendje më së shumti të italianëve, të cilët pasta dhe pizza i gjenin edhe më të mira dhe për të kursyer e thonin troç që “ L’Albania e buona, ma sono poco furbi e…” Aq më keq napoletanët që natyrisht Amalfin ia kishte lënë pasanikëve të Shqipërisë dhe e kishte ndërruar me Sarandën kaotike në Gusht…

Por jugun e vizitoi edhe me skaf para se të ndahej nga burri edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Ca thanë që i shoqi e kishte tradhtuar edhe para se të vinte në Vlorë, por puna tyre, sepse qëllimi veç se të drekonin me Ramën me shumë mundësi ishte edhe firmosja e një marrëveshje që në 2023 u diskutua gjerësisht. Shqipëria do të ndihmojë Italinë me kampe refugjatësh afër bregdetit në Lezhë.

Qëndrim, ushqim për ta i paguan Italia, ne japim tokën dhe bëhemi roje për emigrantët që me varka kërkojnë të arrijnë brigjet italiane. Që me Italinë i kemi punët mirë kjo është pak po e sigurt, sikundër 2023 ishte viti kur me Greqinë bëmë hapa mbrapa. Grekët rikthyen këtë vit për Shqipërinë kërcënimin “jua tregojmë ne me veto procesin e integrimit në BE”, sepse në zgjedhjet e Himarës, Fredi Bejleri, i minoritetit në Himarë akuzohet për korrupsion zgjedhor. Pra për rekorde publike gjithsesi me Italinë jemi vaj, me grekët na duhet graso makinash të na ecin punët. Në 2024 ndoshta gjërat ndryshojnë.

Tani le të kthejmë sytë nga politika. Sepse 2023 ishte në vend akoma viti me gropë i Opozitës. Kjo historia e Opozitës në 2023 është nga ta kapësh. Sa për kronologji… Në nisje të vitit kongresi i Demokratëve që mbështesnin Berishën në Stadium tregoi se kjo historia e ndarjes nuk do ishte gjë e lehtë. Aq më shumë kur në lojë hyri gjykata, fillimisht për legjitimim të statutit dhe pastaj të vulës. Në debate publike shkoi aq qesharake kjo histori sa kujt i takon vula, zyrat e partisë, kush është anti-amerikan, cilët janë demokratë të vërtet në raport me karrieristat e partisë. Komplet muhabet partish në lodhje të gjatë. Por kjo është e vërteta. Që 2023 në vend të ishte produktiv në terma të përgjithshëm, Opozita mbeti në tentativë së pari për t’u bërë një dhe reale perballë pushtetit, së dyti të ngrejë frymë, atë që çdo forcë politike e do.

Analizën politike nuk e kam sport që e njoh, por racionalisht kuptoj që mesa duket ky është fillimi i fundit të një procesi që kap pikën 0, shkërmoqjen dhe… nëse Berishën e arestojnë në shtëpi dhe Lulzim Bashën që këtë vit veç se u duk me T-shirt navy jeshil si Zelensky, komplet për me të cilën u bë meme. Fati i PD duket totalisht i mjegullt ndërsa socialistët me kongrese projektojnë 2030.

Pra e gjitha aq përmbledhtas për të kuptuar se 2023 ishte totalisht viti më i humbur i Demokratëve, të cilët ca ndahen në dum babist dhe ca në dum bashist. Aaaa ka dhe të tjerë dum vetist, që kur 2 kapen natyrisht që duan të dominojnë vetë në këtë histori, me i ra në sy më shumë amerikanëve sesa elektoratit të vet. Kaq për këtë vit, në histori me Opozitë në Shqipëri….

Kthejmë vëmendjen në sport. Tek ai me top, zotësi dhe fat… Tek futbolli. Shqipe ky ka qenë viti ynë deri sa na ra shorti për në Europian…

Le të mendojmë bashkë në një moment. Cila është ëndrra më e madhe e një presidenti Federate Futbolli. Tani dua t’i referohemi një dokumentari mbi mafian e futbollit dhe problemet që Seb Blater pati me FIFA-n, fondet, korrupsionin dhe drejtesinë… Në një pikë të dokumentarit teksa Blater ngjiste shkallët nga një zyrtar federate, sekretar deri tek numri 2 i FIFA-s, me gojën e tij deklaron: “Nuk mbaron me kaq…” dhe bëhet njeriu më i fuqishëm në botë i futbollit. …Seç ndodhi me të më pas mbetet histori… Por në histori do të hyjmë për Shqipërinë edhe Armand Duka. Presidenti me jetëgjatë i futbollit në vend që u zgjodh këtë vit zv/president i UEFA-s. E jashtëzakonshme për një vend të vogël, por besojmë ambicie e realizuar për një njeri që njeh mirë lobimet si z.Duka.

Në posterin e FSHF për t’ju gëzuar kualifikimit në Europian në formacionin e suksesit, ishte edhe Presidenti Duka. Dakort ky është viti i tij, por edhe i Shqipërisë. Arritëm të mbajmë kreun në grup. Djemtë e Kombëtares na dhuruan çdo ndeshje, sidomos në Air Albania, emocion, fitore, pikë dhe aq më shumë kualifikimin. Këtë vit me “Mora Fjalë”, kënga që bashkoi Shqiptarinë në një himn, (kujtojmë me krenari qe është kënga e fundvitit të Top Channel), të gjithë mezi pritëm shortin se me kë do të përballemi në Europian…

Siç ndodhi me DeBiazin që kryeministri i thoshte ‘Xhani o Xhan’, edhe Silvinjo mori pasaportën shqiptare këtë vit dhe sfida e tij është të përballet në një grup zjarri me më të mirët e botës. Italinë, Kroacinë, Spanjën. Unë besoj se çunat tanë do bëjnë më të mirën, uroj që ky tifozlliku ynë mos t’i priten gjunjët kur të mëdhenjtë e futbollit të na marrin para. Edhe pse shpresa vdes e fundit dhe siç thoshte Maradona: ‘Fati dhe topi mund të ndryshojnë historinë’, uroj që në Europian të dalim me dinjitet.

Kush po dëgjon tani dhe ka marrë bileta, të cilat u shitën online pa mik nga Federata, është me fat dhe le të bëhet gati për 2024 plot me emocione kuq e zi.

Kjo është nata e fundit në Radio, që na ka vënë përpara shumë ngjarje, datash dhe gëzimesh. Të personazheve të ndryshëm të ekranit, muzikës…

Dasmat… Ah le të na thotë dikush që kur afron Prilli apo Maji nuk mendon, ore a na martohet njeri këtë vit nga shoqëria a fisi. Nejse, unë vdes për dasma se kur më kap edhe vera, Napoloni bëhet edhe më i bukur. Për të mos folur sa veta të pirë kam parë këtë vit në TikTok nëpër dasma që kërcejnë “Oh Sarile”… dhe çfarë të them më shumë… punë qejfi.

Por këtë vit e hëngra një dasmë, në Itali tek Arbana Osmani dhe Edi Grishaj. Ishte viti i tyre i dasmes në prani të tre të vegjëlve të tyre. Kujtim i bukur për të gjithë. Por duke parë se cilët kishin lidhur kurorë këtë vit, 2023 do jetë viti i paharrur për Venerën dhe Lind Islamin dhe Klea Hutën dhe Elgit Dodën. Dasmë që tërhoqën vëmendjen publike, u komentuan dhe u bënë virale në rrjet. Dafina Zeqirin po ta pyes tani nëse 2023 e kujton për numër rekord të bashkëpunimeve me çdo çun të “Top Listës”, mbase më thotë se ka gjetur edhe njeriun e zemrës.

Lexoj lajme se Dafi këtë radhë thotë se është i duhuri, fiks për t’u martuar dhe me gjasë mund ta bëjë në 2024. Këngëtarja Fifi në DWTS mori propozim emocionues dhe dasma e pret. Dhe këtë vit s’mund të harroj kur Donaldi iu ul në gjunjë Bora Zemanit dhe i kërkoi të martohet me të. Bukur eee, vit i zjarrtë zemrash ky.

Por 2023 ka qenë viti i koncerteve me përmasa të mëdha… Elvana Gjata solli “Dekadën” në stadium dhe do të mbetet një nga mbrëmjet më të paharruara për të dhe fansat, sikundër Noizy kapi prapë sheshin për koncert me mijëra ndjekës. Unë kam parë koncerte në jetë, në stadiume e jo vetëm. Ama e them me plot gojë se ky ishte viti i standardit të vendosur në muzikë nga artistët tanë… Sa për kronikë, po i kujtoj… në Tiranë kërcyet këtë vit edhe me Ricky Martin dhe Enrique Iglesias…. që futën Tiranën në kalendarin e tyre, edhe pse në xhiro janë me PitBull, që nuk do bënin keq ta kishin marrë me vete. A, kë do të doja unë të kisha parë në Tiranë? Me shumë qejf përshembull Imagine Dragons. Ëndrra janë, bën vaki dhe dalin ndonjë ditë!

Nëse pak më parë folëm se si Kombëtarja jonë e futbollit shënoi një tjetër gur kilometrik në histori, duam ta kthejmë vëmendjen tek filmi shqiptar. Tek kinematografia jonë dhe aq më shumë tek ajo e pavarur, autor dhe që serish reshtoi publikun në kinema në radhë të gjata.

Kur përfundoi BBV nisi të kristalizohej publikisht ideja se Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari mund të ishin protagonistë në të njëjtin film. Kur e dëgjova në nisje si ide thashë, ‘fantastike, super të shohësh dy antagonistë në një film, aq më shumë si të dashuruar. Dhe ashtu ndodhi. 2023 ishte viti i “Në Kuadër të Dashurisë”. Filmi i rekordeve absolute në numër biletash të shitura dhe me interes të jashtëzakonshëm aty ku ka shqiptarë.

Për një gjë kam një ndjesi pozitive këtë vit. Që prodhimet shqiptare po bëhen edhe me të mira. Nuk mjaftohen me një kamera Cannon dhe humor të diskutueshëm, por mbajnë një standard nderkombetar dhe denjesisht mund t’i krahasosh me Cine-panetonet italiane ose komeditë romantike që sheh në DigitAlb.

Ky ishte po aq viti i “5 Herë Jo”. Edhe Bora Zemani e Donald Veshaj sollën një histori dashurie, komedi situatash dhe tek e fundit një film që po ecën akoma ne kinema. Çfarë lexoj dhe më tregojnë ata, filmi po ecën mirë dhe ky është një tjetër sukses.

Por këte vit autorët shqiptarë të kinemasë kanë patur sukseset e tyre. Regjisori shqiptar Erenik Beqiri triumfoi në Festivalin e Venecias. Filmi quhet “Një udhëtim i shkurtër” dhe zbulon nga afër gjyqet e një çifti shqiptar në sfondin e eksodit të heshtur të Shqipërisë. Historinë e Klodit dhe Mirës, një çifti të ri shqiptar që arrin në Marsejë me një mision që vendos të ardhmen e tyre. Kur të ketë akses publik mezi pres ta shoh si film…

Po teksa mendoja se çfarë mund ta nënvizonte më shumë akoma këtë vit, ndër detaje më erdhi ndërmend që këtë vit janë zbardhur më shumë se kurrë, mesazhet e koduara të grupeve kriminale. Aq sa edhe një gazetari i hynë në shtëpi që t’i gjenin burimin se nga rridhnin përgjimet e sekreteve hetimore. Zbërthimi i mesazheve nga aplikacioni “Sky ECC”, çoi në arrestimin e shumë figurave publike, midis tyre ish-drejtori i poicisë Erzen Breçani. Se përgjimet dhe zbulimet në këtë vend me kamera e telefona nuk mbesin kurrë pa dalë në publik. S’e di çfarë keni menduar kur patë këtë vit të dalin pamjet e videos erotike të Safet Gjicit. Por së paku ndonjë meme në rrjet e kujtoni. Tani që e ktheja në mendje si rast flagrant të shënuar në 2023 si abuzim me pushtetin dhe funksionin publik, ajo mendova është shprehja popullore. Çudia 3 ditë zgjat. Se ky vend çdo javë na e ka sjellë një ngjarje për t’u marrë. E megjithatë rasti i Kukësit nuk zgjati hiç 3 ditë se gjykata dha dënimet përkatëse.

Shumë pretendonin që ky rast do të ishte i fortë që qoftë edhe ai pol opozitar i përçarë, për hir të qytetarëve të bëhej bashkë. Por jo. Nuk ndodhi. Aq më shumë kur Kukësi është socialist së paku me votë prej disa vitesh. Do i japom dhe shumë pak vëmendje politikës dhe do e mbyllim, sepse çdo vit nuk ka ndonjë diferencë nga tjetri. Se ç’do të ndodhë në 2024 mund ta parashikojmë, por që tymi dhe flaka i ka dalë që pa u mbyllur ky vit, po e shohim të gjithë. Literalisht. Kuvendi edhe buxhetin e miratoi për 7 minuta se karriget u bënë pirg, flakadanët e stadiumeve shkuan në parlament dhe zjarrvënia u tentua disa herë nga deputetët e PD.

Për socialistët që e kanë me përtesë këtë punën e parlamentit, lexohej qartë që ishte ku ta gjejmë, hyjmë, check-ojmë, plas sherri, ne dalim ikim në kafe… ohu… Për demokraët në revolucion kjo duket si nisja e një paralajmërimi protestash vitin tjetër.  “Luftë” politike që merr edhe kot… Por prapë punë shqiptarësh të inatosur… se luftë të vërtetë kjo botë ka parë e që çke me të këtë vit…

Kur shkëndija e parë erdhi nga Lindja e Mesme, u mendua që pas disa viteve qetësi të kontrolluar, konflikti Izrael-Palestinë duhet të riniste nga fillimi. Një kapitull i ri këtë herë më i përgjakshëm. Në fillim të Tetorit, grupi radikal palestinez, Hamas, nisi një sulm të befasishëm në jug të Izraelit, duke lëshuar raketa nga Gaza dhe duke dërguar luftëtarë matanë kufirit. Sulmuesit e Hamasit vranë mbi 1200 persona dhe morën peng rreth 240 izraelitë. Izraeli u kundërpërgjigj me bombardimin më të ashpër të Rripit të Gazës në historinë 75-vjeçare të konfliktit të tij me palestinezët. Bota u përfshi në protesta pro dhe kundër Palestinës. Makineria e propagandës së Hamasit kapi kulmet sidomos tek platformat që ja bëjnë audiencave mendjen sallatë, në TikTok. Pamjet e fëmijëve, grave e pleqve të masakruar u bënë virale kudo, aq sa të ngrinin valë urrejtje. Yjet botëror nisën të mbanin anën me kë pozicioneshin. Por ishte e tmerrshme. Sepse viktima të kujtdo që e nisi këtë, ishte vetëm popullata e pafajshme që u përfshi në sulme me raketa e shpërthime siç ishte spitali i fëmijëve, ku bota mbajti frymën nga shokimi.

Ndërkohë në anën tjetër të Botës ndërsa vëmendja ishte tek Gaza, Ukraina mbarti akoma një luftë te zvarritur me Rusinë. Deri para disa javësh Ukraina vazhdon një luftë gati dyvjeçare kundër pushtimit rus dhe BE u pajtua për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me vendin e dërrmuar. Zelensky mirëpriti vendimin si votim besimi ndaj Ukrainës, teksa ajo po kërkonte ndihma për luftën e saj, përfshirë fondet e propozuara nga Shtetet e Bashkuara, që po vazhdojnë të kundërshtohen në Kongres. Një gazetar i njohur tha se me shumë mundësi, Zelensky do veshi kostum në 2024 dhe do heqi dorë nga T-shirti i gjelbërt ushtarak.

Në vendin më të fuqishëm të Botës, Donald Trump u përfshi në akuza për mashtrimin e Shteteve të Bashkuara, përmes pengimit të Kongresit për certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Më vonë gjatë gushtit, Trump u ngarkua me disa akuza të tjera penale, në shtetin e Xhorxhias, për konspiracion me bashkëpunëtorët e tij për të zhbërë humbjen e tij zgjedhore më 2020. Ai, po ashtu, po përballet me akuza për mashtrim biznesor, për shkelje gjatë fushatës dhe për nxjerrje të dokumenteve të ndjeshme nga Shtëpia e Bardhë, në kohën kur ai po vazhdon garën e tij për t’u kthyer në postin e presidentit më 2024.

Ama nuk duam ta mbyllim këtë pjesë pa kujtuar se ky vit e tronditi botën me tërmete të forta. Ai i Turqisë ishte pak të thuash tronditës. 7.8 ballë lekunden Turqinë juglindore dhe pjesë të Sirisë. Numri i të vdekurve kaloi shifrën 50.000 në të dyja vendet. Tërmetet dëmtuan apo shkatërruan qindra mijëra ndërtesa, duke lënë edhe një numër të madh të njerëzve pa strehë.

Inteligjenca Artificiale, ChatGPT dhe orientimi i teknologjisë botërore për të zhvilluar Inteligjenca të tilla në 2023 kapi kulmin. Nuk do hezitonim të thonim, ky ka qenë viti i hapjes dhe përdorimit popullor të Inteligjencës Artificiale. Po, po. Chatboti që u bë në kohë të shpejtë aq popullor sa ca nga qejfi e dëshira nisën ta aplikojnë në punët e tyre e t’i shohin avantazhet, të tjerë i ranë bilbilit të alarmit se botës me këto Inteligjenca do i kanoset një rrëmujë e madhe sidomos në profesionet kreative dhe të tjerë pastaj komplet injorantë që mendonin se kemi të bejme me robotë sesa sisteme automatike… thjesht dhe emrin nuk ja thonin psh GPT por GDP… por e kuptueshme kur ka gjëra të reja në qarkullim.

Ama diçka e kishim ne tonën, damar shqiptari këtu tek Inteligjenca Artificiale e OpenAi. Shefen ekzekutive të aplikimeve inxhinierike Mira Murati. E cila u bë edhe për nja 3 ditë CEO e komanduar e kompanisë, që me shumë gjasë një nga gjigantët e teknologjisë do e bëjë totalisht të vetin shumë shpejt. Inteligjenca Artificiale kapi faqet e para si inovacioni i vitit të revistave më prestigjoze dhe me shumë gjasë ashtu do të ndodhi.

Dhe meqë jemi tek faqet e para dhe personazhet e vitit, personazhi i vitit 2023 nga TIME: Taylor Swift, artistja që shkakton tërmet 2.3 ballë në koncertet e saj. Suksesi i yllit të muzikës, turneu i së cilës, “Eras”, theu rekorde dhe provokoi një hetim mbi të ardhurat marramendëse, ndjek njerëz si Barack Obama, Greta Thunberg dhe Volodymyr Zelensky. Ajo i tha revistës se është “më krenarja dhe më e lumtura që ka qenë ndjerë ndonjëherë”.

Ndërsa në rekorde të tjera… Kënga më e kërkuar në Google për vitin 2023 ishte YON SHO VU e realizuar nga Yoasobi. Bëhet fjalë për kolonën zanore të serialit anime “Oshi no Ko” e cila ka 385 milionë shikime në YouTube. Dmth kur e lexova si lajm thashë me vete, kur Swiftersat bëjnë namin dhe kjo Taylor ka kapur të gjithë TikTok-sat, si dreqin është e mundur? Por e ka një shpjegim sipas Spotify, 2023 ishte viti kur muzika pop u rikthye fuqishëm. Ishte gjithashtu viti që Gen Z u dha më shumë hapësirë artistëve pa gjini.

Kalojmë pak tek libri. Gazeta prestigjioze britanike, The Economist, e ka bërë përzgjedhjen e librave më të mirë të vitit 2023…

I pari, “Deadly Quiet City” – Murong Xuecun

Në vitin 2020, në fillimin e pandemisë, një shkrimtar i famshëm kinez i intervistoi njerëzit në Ëuhan, Kinë, për përvojat e tyre gjatë bllokadës. Libri i tij i guximshëm dhe jetësor i ndjek tetë tema, përfshirë një mjek në një spital të vogël, një shofer të palicensuar të një taksie me motoçikletë dhe një gazetar – qytetar, përpjekjet e guximshme të të cilit rezultuan në një dënim me burg.

I dyti, “Fear Is Just a Word” – Azam Ahmed

Që nga fillimi i viteve 2000, numri i meksikanëve që janë zhdukur është rritur në më shumë se 100,000 të tillë. Një ish-shef zyre për New York Times në Meksikë ndjek Miriamin, vajza më e vogël e së cilës rrëmbehet dhe më pas vritet nga banda Zeta. Duke u fokusuar në historinë e jashtëzakonshme të një nëne, autori evokon vdekjet e dhimbshme nga kartelet.

I treti, “Flowers of Fire” – Hawon Jung

Një ekzaminim brilant i luftës së feministeve koreano-jugore për barazi gjinore që ka një rezonancë globale. Në përshkrimin e mënyrës sesi gratë koreane trajtohen si kuzhiniere, pastruese dhe “makineri për të krijuar foshnja”, ky libër i gjallë vë dritë mbi një vend që lufton me një ngjitje të shpejtë dhe të pabarabartë drejt pasurisë dhe modernitetit.

2023 mbetet një numër në kalendar, por jeta cikël është tek e fundit dhe, me dhimbje bota ka humbur personalitete të cilët kanë bërë njerëz të qeshin, të emocionohen fort, të frymëzohen, të përfitojnë nga shpkjet dhe arritjet e teknologjisë e mjekësisë fal tyre. Kontribuan fort për një botë më të mirë.

Këtë vit ne humbëm, aktorin brilant, Mirush Kabashi. Ikonën e humorit Zef Deda. Nga jeta u nda këtë vit, aktori i njohur Lutfi Hoxha. Ndahet nga jeta para kohe gazetarja e Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi. Tiranasit e vjetër e njohin mirë, këtë vit u nda nga jeta Sanie Baçova, gruaja e parë dhe e vetme që zbuste kafshët në Cirkun Shqiptar. Humbi jetën këtë vit në moshën 58-vjeçare gazetari dhe publicisti Nebil Çika. Dua të kujtoj po aq, se bota këtë vit humbi gazetarin italian të karrierës, Maurizio Costanzo. Manjatin e medias, Silvio Berlusconi. Aktorin e dashur të serialit “Friends”, Matthew Perry. Aktori amerikan i filmit ikonë, “Histori Dashurie”, Ryan O’Neal. Këngëtarja ikonë në botë, Tina Turner. Ish sekretari i shtetit, figurë e rëndësishme e historisë botërore Henry Kissinger.

Pak orë na ndajnë nga 2024. Komplet si ato reelsat e Instagram dhe TikTok-ut… dhe ja ku ky sezon mbërrin në fund… Personalisht do të dëshiroja të kishim një vit më të mirë në Shqipëri. Në një vend që me shifra ende tkurret, por që shpresa se do të bëhet më mirë të vlejë për gjithësecilin prej nesh. Në një vend ku rrota politike sillet njëjtë dhe zakonet e vjetra nuk besoj se i ndërron Viti i Ri, ama së paku do të doja të ishin më afër qytetarëve dhe halleve të tyre sesa interesit të tyre që të kapin prapë një vend nëpër lista deputetësh. Ku leku edhe pse uli në gjunjë euron dhe dollarin, më shumë siç thonë ekonomistët prej formave informale sesa prej shëndoshjes së ekonomisë, të bëhet më i fortë në xhepat e çdokujt dhe më i vlefshëm për jetën e përditshme. Ku secili të kishte shëndet të plotë dhe gjithë të mirat për të cilat lutet e lufton çdo ditë.

Kaloni gëzuar sonte! Dhe mos harroni që Top Albania Radio siç është çdo vit, edhe në 2024 prej jush do të jetë radio më e mirë!

Nga Eno Popi!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48873 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE