Netanyahu: Aleatët tanë kanë kujtesë të dobët për sulmin e 7 tetorit!

vovalbania March 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Netanyahu: Aleatët tanë kanë kujtesë të dobët për sulmin e 7 tetorit!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ditën e sotme aleatët e Izraelit kanë kujtesë të dobët në lidhje me sulmin e 7 tetorit që kreu Hamasi, grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Ai u zotua se forcat izraelite do ta vazhdojnë ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare.

Miqve tanë në bashkësinë ndërkombëtare u them: A është kujtesa juaj aq e dobët? Ju e harruat kaq shpejt 7 tetorin, masakrën më të rëndë kundër hebrenjve prej Holokaustit. A jeni të gatshëm t’ia mohoni kaq shpejt Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur kundër përbindëshave si Hamasi?

Shefi i qeverisë Netanyahu e përsëriti se Izraeli do të kryejë ofensivë edhe në qytetin Rafah pranë kufirit me Egjiptin.

Presidenti amerikan, Joe Biden i ka rritur kritikat ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu. Ai tha kohë më parë se Netanyahu “më shumë po e lëndon sesa po e ndihmon Izraelin” me mënyrën se si ai po i qaset luftës kundër Hamasit.

Joe Biden tha se mbështet të drejtën e Izraelit për t’iu kundërpërgjigjur Hamasit pas sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar në jug të Izraelit, por tha se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi jetës së të pafajshmëve që po humbet për shkak të veprimeve që po ndërmerren”.

Zyrtarët egjiptianë thanë një ditë më parë se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, pritet të nisin sot ose nesër.

Hamasi kërkon armëpushim të përhershëm në Gazë, gjë që është kundërshtuar nga qeveria e Netanyahut, e cila ngul këmbë se së pari duhet ta përmbushë synimin për ta “çrrënjosur Hamasin”.

Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 250 persona.

Më shumë se 31 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, duke nisur nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48681 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE