“Braktisi” të fejuarën për lidhjen e re me Elhaida Danin, familja e balerinit i thotë ‘jo’ këngëtares? Ja gjesti që nuk i shpëtoi kamerave

vovalbania January 07, 2023 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
“Braktisi” të fejuarën për lidhjen e re me Elhaida Danin, familja e balerinit i thotë ‘jo’ këngëtares? Ja gjesti që nuk i shpëtoi kamerave

Elhaida Dani dhe balerini i saj, Lediani, janë çifti më i përfolur për momentin. Dyshja që e pranuan publikisht këtë histori te “Dancing with The Stars” janë pritur me shumë komente jo vetëm nga publiku. Kujtojmë se balerini e nisi këtë eksperiencë si i fejuar me bionden bukuroshe, Ditjona. Por duket se ndjenjat për Elhaidën kanë bërë që fejesës së tyre t’i vinte fundit.

Vetë balerini ka reaguar pas deklaratave në rrjet, që duket se nuk kanë qenë edhe shumë mbështetëse ndaj tij.

“S’e kam bërë, nuk e bëra dot, unë kam dashur ta bëj diçka të tillë, e menduam të dy dhe thamë jo, nuk e menduam që do të merrte këtë lloj përmase, edhe kur është dhënë videoja kemi menduar të ndahej kjo copëz e ta mbanim për vete, kjo është shumë reale, e ndjejmë njëri-tjetrin dhe aq”, deklaroi ai.

Konfirmimi i lidhjes nga ana e tyre solli reagime të shumta në rrjet, për shkak se balerini kishte hyrë në këtë format i fejuar me bukuroshen Ditjona Bora, me të cilën kishte pasur një histori dashurie prej 7 vitesh.

Kjo e fundit nuk ka bërë asnjë koment për lajmet e shumta në rrjet, por ka zgjedhur të postojë foto që janë interpretuar si mesazh nga ana e ndjekësve, të cilën kanë kryqëzuar këngëtaren Elhaida Dani se hyri mes çiftit.

Në fillim të spektaklit, ish-e fejuara e Ledianit dhe Elhaida kishin një raport të mirë. Në rrjetet sociale, madje ajo komentonte në fotot që këngëtarja publikonte nga skena me balerinin.

“Artista”, shkruante Ditjona te fotoja e dyshes, duke vlerësuar kështu performancat e saj dhe të partnerit të saj. Por duket se që atëherë gjërat kanë ndryshuar, duke sjellë edhe ndarjen e çiftit.

Tashmë, Elhaida dhe Lediani nuk e fshehin më këtë raport, të nisur pas një ndarjeje jo shumë të lehtë të balerinit. Festa e Krishtlindjes ka sjellë edhe formalizimin e këtij çifti.

Ashtu si kemi kuptuar nga rrjetet sociale, Ledjani ka qenë në Shkodër, ku dhe ka darkuar me familjen e këngëtares. Këngëtarja ka postuar një video ku shfaqen të dashurit e saj të zemrës, ndërsa balerini ka publikuar një foto nga pedonalja e Shkodrës.

Por nuk është pritur me të njëjtin entuziazëm kjo lidhje në familjen e balerinit. Ose të paktën kjo është ajo që kuptuam nga nata finale e Dancing. Eno Popi prezanton familjarët e të dyve që ndodheshin në publik.

Nëna dhe vëllai i Ledianit dukeshin të tensionuar ndërkohë që balerini i bën thirrje nga skena të pushojnë. Një tjetër detaj që ka bërë ndjekësit të mendojnë se familja e balerinit nuk është dakord për lidhjen e re është fakti që prindërit e të dyve janë ulur në largësi nga njëri-tjetri në publik.

Ndoshta shkak për këtë raport disi më të distancuar është pikërisht lidhja e mirë që familjarët e balerinit kanë pasur me ish-të fejuarën e tij. Ose ndoshta ajo çfarë pamë në skenë është vetëm një episod i një marrëdhënie mes dy familjeve që sapo ka filluar. Lidhja e Elhaida Danit dhe balerinit të saj është komentuar shumë.

Nuk kanë munguar urimet për këtë çift të ri, por ka pasur edhe nga ata që e kanë akuzuar si shkaktaren e ndarjes së Ledianit nga partnerja e tij. Duket se këto komente kanë sjellë edhe një reagim të sinqertë nga vetë këngëtarja.

“Si asnjëherë tjetër në karrierën time, përtej bashkëpunimit profesional, ndjeva emocione dhe shkëndija të sinqerta, të cilat nuk i përmbajta dot. Besoj shumë te forca që rrezaton dashuria për të frymëzuar, reflektuar në pozitivitet për t’i bërë njerëzit më të mirë, ndaj, kjo shpjegon arsyen pse vendosëm t’i ndajmë me publikun ndjenjat që kemi. Nga reagimet tuaja kuptova që veprimet tona mund të jenë dukur të nxituara pasi kanë shkaktuar indinjatë duke konsideruar disa rrethana, të cilat i kemi sqaruar përpara se kjo marrëdhënie të niste.

Më besoni që unë nuk kam thyer asnjë kod, qoftë edhe moral. Por, nuk jam unë personi që duhet t’i sqarojë mirë për publikun. E ndjej që mund të kem zhgënjyer disa prej jush (edhe pse pa ditur historinë e vërtetë) dhe për këtë jam mërzitur, sepse e di që dashuria dhe marrëdhëniet mund të jenë komplekse. Në finale, dua gjithsesi të kërkoj ndjesë për çdo shqetësim që mund të kem shkaktuar. Jam e përkushtuar të vazhdoj të punoj fort për të merituar”, shkruan Elhaida.

Këngëtarja tha se së bashku me Ledianin nuk kanë thyer asnjë kod moral me lidhjen e tyre të dashurisë. Ajo theksoi se vendosi ta bënte publike lidhjen e saj për shkak të përgjegjësisë që ka si një personazh publik që është.

“Ka qenë një javë shumë intensive kjo që kaluam, kishim vendosur të mos reagonim asnjëri, unë nuk jam këtu për të edukuar një popull të tërë por duke qenë se jam një personazh publik kam një lloj përgjegjësie kur bëj veprimet e mia në sy të publikut, e ndjeja të nevojshme të sqaroja vendin tim, fjalët nuk do të mbarojnë kurrë.

Jemi të rritur të dy, nuk ka mundësi të mos kishim lidhje më para, nuk kemi thyer asnjë kod moral, jemi shumë të lumtur sot dhe ndihemi shumë me fat e jemi të lumtur që ndodhi këtu se duam ta kemi kujtim gjithë jetës dhe uroj të na lejojnë ta jetojmë. Kjo gjë është e vërtetë nga fillimi e deri kur të zgjasë. Disa gjëra duhet ti mbajmë edhe për vete”, tha ajo.

Por duket se kjo deklaratë nuk është mirëpritur nga ish-e fejuara e partnerit. Ditjona Bora ka publikuar në “Instagram” një foto të saj, ku shkruan: “E vërteta ndryshon me kalimin e kohës”.

E duket se lidhja e re po ecën në një terren të vështirë si në publik, ashtu edhe mes familjarëve, që ende nuk janë familjarizuar me raportin e ri të Ledianit. Nga ana tjetër, prindërit e Elhaidës janë shfaqur më të relaksuar, duke lënë të kuptohet se e kanë mirëpritur këtë histori dashurie.

Megjithatë, dyshja duket se po jeton ditë të arta edhe pas përfundimit të spektaklit të kërcimit. Në videot dhe fotot e tyre në rrjetet sociale ata nuk e kanë fshehur romancën.

Madje, balerini në rrjetet e tij sociale i ka shkruar “Faleminderit që ekziston”, duke na lënë të kuptojmë se është kokë e këmbë i dashuruar me të. Mbetet për t’u parë sesi do të ecë ky raport, kaq shumë i komentuar javët e fundit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48564 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE